Kosova

Sveçla: Kosova 4 korrikun e feston si aleat i përhershëm i SHBA-ve


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka uruar 248 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracia e shëndoshë, barazia e drejtësia që synon deklarata e shpalljes së pavarësisë së ShBA-ve, vazhdojnë të jenë themelet e përpjekjeve të përditshme të popujve që duan jetë e zhvillim të qetë e në paqe. Këto vlera duhet dhe do të triumfojnë përballë agresioneve e rreziqeve me të cilat po përballet bota e njerëzimi”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Kosova, sipas Sveçlës, 4 korrikun feston si aleatë i përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne shprehim mirënjohjen jo vetëm për përkrahjen e vazhdueshme, por edhe shembullin që vazhdojnë të japin tash e 248 vite. Në këtë datë të shënuar, urojmë popullin amerikan dhe institucionet e ShBA-ve, miqtë e partnerët e Republikës sonë”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore