Sport

Superiore: VAR fundos Kukësin


Tirana ka mundur 3-2 me përmbysje Kukësin në transfertë falë edhe dy penalltive të akorduara nga VAR-i në favor të bardhebluve.

Kukësi priti Tiranën në ndeshjen e javës së 22 në Abissnet Superiore. Në “Kukës Arena” ishte një sfidë e zjarrtë dhe e luftuar nga të dyja ekipet, ndonëse në fund ishin bardheblutë që triumfuan.

Ndeshja nisi mirë për vendasit që realizuan në minutën e 15 me Mustapha Gbolahan.

Liridon Latifi barazoi takimin në minutën e 28 pas një gafe të portierit të Kukësit, Angelos Tafas.

Megjithatë, verilindorët arritën të kryesonin sërish brenda pjesës së parë me golin e Redon Dragoshit, në minutën e 39.

Në pjesën e dytë, Tirana do të realizonte dy herë me dy penallti të akorduara nga sistemi VAR. Në minutën e 71 realizoi Filip Najdovski. Ndërsa, goli i fitores u shënua në sekondat e fundit nga Patrick.

Për Tiranën rezultati është rikthim te fitorja pas humbjes 3-4 ndaj Skënderbeut në takimin e një jave më parë. Për Kukësin kjo është humbja e katërt radhazi në kampionat dhe tashmë janë 12 ndeshje radhazi pa fitore në Superiore.

Me fitoren e arritur, Tirana shkon në kuotën e 33 pikëve, në vendin e tretë në Superiore. Në krahun tjetër, Kukësi ka 19 pikë dhe qëndron në vendin e nëntë.

Superiorja do të vijojë këtë të shtunë me dy takime të tjera, duke filluar nga ora 16:00, ku Partizani do të përballet me Egnatian, ndërsa Teuta pret Skënderbeun.

Dy ndeshjet e fundit të javës së 22 në Superiore do të luhen të dielën, duke filluar nga ora 13:30, kur Laçi të presë Vllazninë dhe Erzeni pret Dinamo City-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore