Lajme

Sudani akuzohet se është përpjekur “të varrosë të vërtetën” me varret masive për protestuesit


Në Sudan, familjet e të zhdukurve pas tre vitesh trazira politike do të takohen me zyrtarë qeveritarë për të diskutuar se si të varrosen më shumë se tre mijë trupa në morgjet e vendit.

Qeveria e atjeshme njoftoi javën e kaluar planet për të gërmuar varre masive pasi prokurori i lartë publik i Sudanit bëri me dije se mortoret ishin të mbipopulluara.

Por ky veprim zemëroi familjet dhe aktivistët që thanë se do të “varroste të vërtetën”, duke eliminuar çdo provë të mbetur në lidhje me protestuesit pro-demokracisë.

Ata supozohet se janë vrarë nga paraushtarakët gjatë dhe pas kryengritjes së vitit 2018 dhe grushtit të shtetit të vitit 2019 që rrëzuan ish-presidentin Omar al- Bashir.

Të enjten, zyrtarët e qeverisë do të ulen me oficerët e OKB-së, familjet e të zhdukurve dhe aktivistët për të diskutuar këtë çështje.

Vazhdimisht, familjarëve të të zhdukurve u është thënë se nuk kishte trupa të pagjetur në morgje.

Por në maj, autoritetet mbyllën një morg spitalor në kryeqytetin Khartoum, pasi më shumë se një mijë trupa u zbuluan se po prisheshin nga vapa.

Komiteti Qendror i Mjekëve të Sudanit ka thënë se duke marrë parasysh shkeljet e të drejtave të njeriut nga autoritetet e grushtit të shtetit, “e lexojmë këtë si një përpjekje për të varrosur prova të pakundërshtueshme të vrasjeve sistematike nga forcat e armatosura të vendit dhe shkatërrim i drejtësisë”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore