Shqipëria

Studimi gjerman thotë se çmimet më të ulëta turistike janë në Shqipëri


Pushimet vjetore në jug të Evropës janë përgjithësisht më të lira për gjermanët sesa pushimet në atdheun e tyre.

Këtë e tregojnë të dhënat e reja të Entit Federal të Statistikave (Destatis).

Ai krahasoi kostot e shërbimeve në gastronomi dhe akomodimit në hotele në vende të ndryshme evropiane.

Niveli i çmimeve në Shqipëri dhe Turqi ishte më i ulëti ndër vendet e krahasuara nga Byroja Federale e Statistikave, duke cituar agjencitë gjermane “Deutsche Welle” dhe “dpa”.

Në të dyja këto vende, çmimet e shërbimeve turistike ishin 56 për qind më të ulëta se në Gjermani.

Rritja e kostove të energjisë dhe ushqimit ndikon në uljen e buxhetit të disponueshëm të shumë njerëzve në Gjermani për udhëtime turistike, theksojnë statisticienët gjermanë.

“Megjithatë, veçanërisht në vendet e Europës Jugore apo vendet turistike të Europës Juglindore, niveli i çmimeve të shërbimeve në gastronomi dhe hotelieri është dukshëm më i ulët se në Gjermani”, shton Destatis.

Vendet e tjera

Në Spanjë, Poloni dhe Republikën Çeke, të njëjtat shërbime janë paguar mesatarisht 18 për qind më pak në mars të këtij viti (muaji në të cilin Destatis ka analizuar çmimet) sesa në Gjermani.

Në Kroaci dhe Qipro – 17 për qind më pak. Në Greqi, kursimet arritën në 21 për qind. Çmimet ishin edhe më të favorshme në Mal të Zi dhe Rumani – ku akomodimi në hotel dhe shkuarja në një restorant mund të ishte 46 për qind më lirë se në Gjermani.

Sipas Destatis, Kroacia është një vend më i shtrenjtë për turistët sesa konkurrentët e saj evropiano-jugor, Turqia, Greqia, Portugalia dhe Spanja.

Për sa u përket vendeve në jug të Evropës, nga të gjitha vendet në të cilat Destatis analizoi çmimet, Italia ishte më e shtrenjta.

Por edhe në gadishullin Apenin, sipas statisticienëve gjermanë, niveli i çmimeve në hotele apo restorante në periudhën e hulumtuar ishte pesë për qind më i ulët se në Gjermani.

Nga të gjitha vendet e anketuara, Zvicra ishte më e shtrenjta në mars.

Atje, për të njëjtin shërbim (restorant ose natë në hotel) duhej paguar 61 për qind më shumë se në Gjermani.

Destinacionet e njohura turistike si Danimarka apo Norvegjia janë gjithashtu më të shtrenjta – me më shumë se 40 për qind.

Finlanda është pak më e lirë, por gjithsesi dukshëm më e shtrenjtë se Gjermania: netët e hoteleve dhe shërbimet gastronomike ishin 25 për qind më të shtrenjta atje sesa në Republikën Federale të Gjermanisë në mars të këtij viti.

Në Irlandë, turistët duhej të paguanin 21 për qind më shumë, pushimet në Suedi ishin 17 për qind më të shtrenjta se në Gjermani, ndërsa në Austri 15 për qind.

Në Francë, një nga destinacionet turistike më të njohura të Gjermanisë, në mars duhej të paguhej tetë për qind më shumë për akomodimin në hotel dhe në restorante sesa në Gjermani, njoftoi Destatis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore