Shqipëria

Studentët ekselentë jo vetëm për një vit


Gjithçka do të ndodhte në vitin akademik 2018-2019. Pas javësh të tëra qëndrimi në rrugët e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zëri i tyre u dëgjua. Dhe, fuqishëm madje! Deri në arritjen e një “pakti për universitetin”.

Pas një sërë diskutimesh, arritën një marrëveshje të drejtë dhe në përputhje me ligjin në bashkëpunimin me qeverinë shqiptare.

Tetë qenë kërkesat kryesore të parashtruara nga ana e studentëve, që përfshinin tarifën e studimit, investimet në infrastrukturë dhe deri te buxheti për arsimin e lartë.

Këta studentë do të përfitonin gjithashtu një përvojë pune njëvjeçare.

Pas një viti eksperiencë pune, atyre do t’u jepej mundësia për t’u futur në konkursin e DAP-it (Departamenti i Administratës Publike), për të fituar statusin e nëpunësit civil.

Gjithçka vjen me dëshmi të gjalla për Albanian Post.

Mario Kukeli, një ndër studentët ekselentë, tregon se “përfshirja në shërbimin civil të studentëve të ekselencës është ndoshta gjëja më e mirë e bërë për studentët pas hapjes së dyerve të universitetit”.

Nga kjo platformë e marsit të 2019-s u punësuan 373 studentë me nota të larta.

I diplomuar në 2017-n, në Master Profesional Administrim Biznes, Financë, në Universitetin e New York-ut, ai do t’i përgjigjej thirrjes së parë të ekselencës, duke u shpallur më pas fitues për vendin “specialist në drejtorinë e partneritetit publik privat”, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).

Mario u punësua në administratën shtetërore. “Aplikova ditën e fundit të shpalljes nga qeveria të portalit punëtëmbarë.al. Pasi u pranova nga Departamenti i Administratës Publike (DAP) dhe shpalljes fitues, përzgjodha pozicionin e punës nga lista në dispozicion të programit të ekselencës”, thotë ai.

Pas eksperiencës 1-vjeçare, në mars të 2020-ës, kaloi me sukses fazat e konkursit të DAP-it. Aktualisht është duke pritur konfirmimin e statusit të nëpunësit civil.

Për AP-në, rioshi rrëfeu se u ndje i mirëpritur që në fillim gjatë periudhës së provës. “Punonjësit më të vjetër në detyrë na kanë mirëpritur dhe na kanë udhëzuar mbi bazat e punës”.

Në shtator të vitit 2019 do të hapej thirrja e dytë për ekselentët. Këtë herë vendin e punës e fituan 143 studentë.

Një ndër studentet, që përfituan nga kjo thirrje, është Tini Ademi.

E diplomuar në vitin 2019 në Master Shkencor Menaxhim Energjie, në Universitetin Politeknik të Tiranës, për AP-në, rrëfeu gjithë rrugëtimin e saj deri më sot.

“Fillimisht aplikova në mars të 2019-ës, në programin e praktikave të punës pranë MIE-s. U pranova dhe fillova praktikën në muajt prill-qershor të 2019-ës. Mbas një muaji, në korrik lidha kontratën 1-vjeçare”.

Përgjatë kësaj kohe, pasi dëgjoi për thirrjen e dytë për ekselencën në muajin shtator, aplikoi dhe më 11 nëntor 2019 u pranua. Ajo tregon se “në nëntor 2020 bëra 1 vit dhe pastaj u hap vendi ne DAP. Aplikova, u pranova dhe dola fituese e konkursit”.

Gjithashtu shpjegon për të gjithë të interesuarit se aktualisht është në fazën e një viti prove, sipas ligjit për nëpunësin civil. Në nëntor të vitit 2021, ajo do të marrë statusin e nëpunësit civil.

E reja vuri theksin edhe te mikpritja e të gjithë punonjësve me eksperiencë. Sipas saj, ata kanë e kanë përkrahur dhe këshilluar në çdo moment.

Përpos diferencës së moshës, kolegët që e kanë rrethuar janë treguar të gatshëm për ta ndihmuar në çdo rast nevoje.

Aktualisht, në bazë të kësaj platforme, është hapur dhe thirrja e tretë në nëntor të 2020-ës. Sipas kësaj thirrjeje janë publikuar 108 vende vakante për studentët e ekselencës.

Deri më tani, në administratën shtetërore janë punësuar 602 studentë ekselentë, të cilët vazhdojnë ende të punojnë në pozicionet përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore