Shqipëria

Streha e të drejtave të njeriut


Nganjëherë, të drejtat humbin. Ardhje-vajtjet e tyre e harrojnë lënien e një pusulle.

Ose ndoshta aty mund të jetë, por nuk e vë re kush.

Ashtu, në zbrazëti, humb edhe njohja e këtyre të drejtave. Dhe kjo s’mund të lihet mënjanë.

Prandaj ka marrë jetë Akademia e të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve.

Nën përkujdesjen e Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut (GSHDNJ), akademia nuk e kursen dijen në drejtim të njohjes së të rinjve me ajthin e të drejtave të njeriut dhe nevojën për të reaguar nëse ato cenohen.

Prej vitit 2012, atë e mirëpret Voskopoja dhe të rinjtë që nuk duan t’ju ikë e drejta pa njoftuar.

Puna me të rinjtë

Si drejtuese e grupit, Elsa Ballauri, tregon për Albanian Post se akademia është një nga aktivitetet kryesore të organizatës dhe “një strehë e bukur për pasionin dhe idetë e të rinjve mbi të drejtat e njeriut”.

“GSHDNJ është krijuar në vitin 1996 dhe me gjithë punën e madhe për të drejtat e njeriut në vend, kemi kuptuar se është e pamjaftueshme të arrijmë suksese të vërteta nëse nuk aftësojmë të rinjtë për ta bërë ndryshim që ne të gjithë kërkojmë”, thotë ajo.

Kjo vjen pas një vërejtje përgjatë viteve ku mënyrat me të cilat përballet shoqëria civile për të forcuar konceptet e të drejtave të njeriut, s’kanë qenë te mjaftueshme.

Ballauri ka rrëfyer se shoqëria shqiptare, e ardhur nga një regjim i thelle diktatorial që ka dëmtuar thelbin e saj revoltues dhe reformues, ka nevoje për një punë të jashtëzakonshme për ta ndërtuar nga themeli embrionin.

U deshën vite të tëra pune për grupin për të kuptuar se puna me të rinjtë është një nga detyrat dhe domosdoshmëritë e ngritjes së godinës së një shoqërie të emancipuar dhe mendje-hapur.

“Kështu lindi ideja e Akademisë. Ajo ka filluar punën në vitin 2012 dhe këtë vit është 10–vjetori i saj.  Qëllimi është të aftësojmë të rinj aktivistë që të njohin bazat e të drejtave te njeriut dhe instrumentet që duhet të përdorin për t’i zbatuar ato”, tregon Ballauri.

Lidhur me akademinë, ajo bën të mundur lidhjet e të rinjve me njëri-tjetrin, të komuniteteve, rretheve, qyteteve, shkollave të ndryshme. Dhe një nga qëllimet është ulja e diskriminimit, homofobisë dhe këtë arritje grupi e vëren nga viti në vit.

“Në Voskopojë, atje ku zhvillohet përvit trajnimi disa ditor, kemi parë energjinë e mrekullueshme të të rinjve që jo vetëm kuptojnë dhe mësojnë më shumë, por mendojnë më thellë, i zhdukin paragjykimet dhe largohen me ide të reja se si të jenë të dobishëm për veten dhe moshatarët e tjerë”, veçon drejtuesja.

Më në brendësi

Akademia përzgjedh rreth 25 të rinj nga mosha 18-25 vjeç bazuar te thirrjet që grupi drejton online.

Diversiteti gjeografik është i rëndësishëm, po ashtu edhe ai komunitar, pra i komuniteteve nga ata vijnë.

Të rinjtë shprehin paraprakisht arsyen se përse ata duan të marrin pjesë çka përbën edhe prioritetin e akademisë për të punuar më të rinj që i janë futur rrugës së aktivizmit, që e kuptojnë atë dhe kanë nevojë për më shumë njohuri dhe komunikim.

Drejtuesja e grupit ka zbuluar se akademia përfshin lektorë të huaj dhe shqiptarë, ekspertë të fushave të ndryshme, të ligjit, medias, të të kaluarës komuniste, minoriteteve, grupeve të margjinalizuara, të parlamentit, barazisë gjinore dhe trashëgimisë kulturore.

“Risitë? Ajo që duam të konstruktojmë është antikonformizmi i të rinjve, ngritja e nivelit kulturor që të jenë të aftë të kuptojnë se si të veprojnë kundër diskriminimit, kundër homofobisë, sit ë kuptojnë demokracinë funksionale. Gjithashtu të lexojnë dhe të njohin terminologjinë dhe fenomenet e te drejtës”, shpjegon Ballauri.

Ajo veçon edhe risinë e viteve të fundit që pati edhe rezultat të lartë këtë vit, veprimtarinë e Alumnit.

“Alumni përfshin të rinjtë që e kanë kryer akademinë dhe tani rikthehen si lektorë. Kjo ka pasur impakt shumë të madh dhe i frymëzon studentët të ndjehen të nevojshëm për komunitetet e të rinjve dhe e shohin veten si faktor ndryshimi”, tregon ajo.

Madje, prezenca e Luanës, një transeksuale që arriti ‘të kthejë përmbys’ mendjet e pamësuara të disa të rinjve, pati një rezultat mbresëlënës sipas Ballaurit.

Konteksti aktual

Ajo rrëfen se vendosja e temave në aktualitet është një nga qëllimet e akademisë.

“Trajtimi i temave bëhet me thellësi duke konsideruar edhe aspektin historik. Bashkëpunimi ynë është i gjerë: një nga lektorët e njohur amerikanë të të drejtave të njeriut, profesor Theodore Orlin, merr pjesë rregullisht në akademi për t’ju mësuar atyre bazat e të drejtave të njeriut, dhe pas kësaj teorie ka diskutime të mira të trajtimit të probleme aktuale”, thotë Ballauri.

Nga ana tjetër, i pranishëm është edhe Bernd Borchadt, ish ambasadori gjerman, për të rrëfyer modelin gjerman të përballjes me të kaluarën.

Ndërkohë, Kujtim Cashku me dokumentarë të përzgjedhur të studentëve për tema shqetësuese të realitetit apo Agim Baçi me aspektin filozofike që thellohet në konceptin e manipulimit, “një nga më të padiskutuarit në shoqërinë tonë dhe sidomos mes të rinjve”.

Gjithashtu është Avokati i Popullit, Këshilli i Evropës apo OSBE-ja dhe sigurisht studentët që debatojnë me përfaqësues të pushtetit qendror, lokal apo të parlamentit.

“Aktualiteti është pas çdo njohurie të re dhe jo vetëm në nivel diskutimesh, por më shumë në nivel të ideve të reja se çfarë duhet bërë më shumë dhe si duhet bërë e gjithmonë protagonistë të zbatimit të këtyre ideve duhet të jenë të rinjtë”, shprehet Ballauri.

Gatishmëria e të rinjve

Drejtuesja e akademisë tregon se interesi i të rinjve është i madh.

“Thirrja jonë e këtij viti ishte vetëm dy javë përpara fillimit të aktivitetit dhe në këto dy javë, u mblodhën 60 aplikime. Gjithmonë e më shumë interesi rritet. Por, për fat të keq, gjithmonë e më shumë, ne kuptojmë se sa të varfër jemi në edukimin e të drejtave të njeriut në kurikulat tona, se sa pak iu jep shkolla të rinjve”, ka dalluar ajo.

Madje, “studentët e ndjejnë vetë këtë gjë, çdo vit ka iniciativa për të kërkuar nga ministria trajtimin e të drejtave të njeriut në shkolla, por jo me atë stilin fals, por realisht me përgjegjësi dhe përkushtim. Ndoshta rezultatet në fushën e të drejtave të njeriut janë shumë të vogla, por me akademinë, ne kemi besim se gjërat mund të ndryshojnë për mirë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore