Lajme

Stefanoviç pretendon se Kurti dhe Mehaj po mashtrojnë qëllimisht kosovarët – “ata s’mund ta mbrojnë Kosovën, siç po thonë”


Armend Mehaj, Albin Kurti dhe Nebojsha Stefanoviç

Sipas ministrit të Mbrojtjes se Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, homologu i tij kosovar, Armend Mehaj po gënjen popullin e tij kur thotë se Ushtria e Kosovës është e gatshme ta mbrojë në çdo cep territorin e Republikës.

Në argumentimin e tij të cekët, Stefanoviç pretendon se nuk ka asnjë akt ndërkombëtar që i lejon Kosovës të formojë ushtrinë siç pretendon ai “në territorin e Serbisë”, pasi që i njëjti nuk pajtohet me faktin se Kosova është shtet i pavarur.

Sipas Stefanoviç, forcat e KFOR-it janë e vetmja forcë e armatosur që mund të ekzistojë në Kosovës sipas Rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Nuk ka asnjë dokument tjetër ndërkombëtar që lejon diçka tjetër dhe politikanët e Kosovës e dinë shumë mirë këtë, edhe pse kjo nuk i pengon ata të këmbëngulin në atë se janë duke e forcuar Ushtrinë e Kosovës”, ka pretenduar Stefanoviç.

Stefanoviç më tej pretendon se, Armend Mehaj dhe Albin Kurti përpiqen vazhdimisht të “frikësojnë serbët në Kosovë” dhe të “shkaktojnë destabilizimin e rajonit” në të gjitha mënyrat e mundshme.

“Politikanët e papjekur padyshim besojnë se do të kenë sukses të përfitojnë nga konflikti në Ukrainë duke shmangur detyrimet e tyre për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka vazhduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore