Lajme

Stano: Masat ndaj Kosovës mund të hiqen, por edhe mund të rëndohen më shumë


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar në konferencë për media se masat shtrënguese kundër Kosovës mund të hiqen, por mund edhe të bëhen më të rënda, varësisht çfarë drejtimi merr situata.

“Masat e përdorura në rastin e Kosovës janë masa të përkohshme, masa që janë aprovuar nga shtetet anëtare, pasi të gjithë u pajtuan. Të gjithë u pajtuan që tani ne duhet të përdorim edhe shkopinj e jo veç karota. Ato do të qëndrojnë për aq gjatë sa shtete anëtare e shohin të nevojshme, gjithashtu mund t’i zbusim, por edhe mund t’i rëndojmë”, deklaroi Stano.

Ai, pohoi po ashtu se Bashkimi Evropian nuk është palë në dialogun Kosovë-Serbi, kështu duke thënë se nëse palët refuzojnë që të gjejnë kompromis, asnjëherë nuk do të kenë sukses.

“Më lejoni të kujtoj një gjë që BE-ja nuk është palë e dialogut. Palët e dialogut janë Kosova dhe Serbia, BE-ja është lehtësuese në bazë të çështjeve të shprehura nga të dyja palët, kështu që ne jemi duke bërë rolin e lehtësuesit dhe po ndihmojmë të dy palët që të arrijnë marrëveshjet mes tyre”.

Bruksel, 14 shtator 2023

“Por, ne kurrë nuk do të jemi të suksesshëm për sa kohë që palët refuzojnë të ecin në rrugën e kompromisit dhe nëse ne po përpiqemi t’i ndihmojmë ata dhe dikush nuk dëshiron ndihmë, çfarë mund të bëjmë”, ka thënë Stano para gazetarëve.

Ai ka bërë të ditur se pas informimit tek vendet anëtare të BE-së nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Miroslav Lajçak, do të vendoset se çfarë do të ndodh me dialogun.

“Lajçak, pas këtij raundi të dialogut do të shkoj në vendet anëtare dhe do t’i informojë përsëri vendet anëtare në nivele të ndryshme për atë që ndodhi dhe analizën tonë se çfarë ndodhi dhe përse. Më pas vendet anëtare të BE-së do të vendosin se çfarë do të ndodhë më pas”.

Për takimin e së enjtes në Bruksel, ai u shpreh se është situatë që ka filluar të përsëritet.

“Ky është skenari që po e kemi herë pas here kohëve të fundit”.

“Por, ne kurrë nuk do të jemi të suksesshëm për sa kohë që palët refuzojnë të ecin në rrugën e kompromisit dhe nëse ju po përpiqeni t’i ndihmoni ata dhe dikush nuk dëshiron ndihmë, çfarë mund të bëni?”, ka thënë Stano para gazetarëve.

Takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç-i e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiç kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiç, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiç-it, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.

Më 4 korrik, Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për shkak të situatës së tensionuar në Veri.

Masat që u paralajmëruan për Kosovën, përveç se nga institucionet u konsideruan si “tejet të padrejta”, për profesorët e çështjeve ndërkombëtare janë edhe “jashtëzakonisht të dëmshme”, pavarësisht nëse do të jenë për një periudhë të shkurtër apo afatgjate.

Nga sanksionet të cilat vijnë ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në Veri, njëra ndër më të rëndat rezulton të jetë “shqyrtimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF)”.

Kornizë kjo e cila përmban investime në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzorë dhe bujqësisë.

Përmes këtij procesi bashkohen përfituesit donatorët dhe huamarrësit.

Dekonstruktim – cilat projekte saktësisht i humbi Kosova me sanksionet nga BE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore