Sport

Sportistja bjelloruse mbërrin në ambasadën polake në Tokio, ndërsa burri i saj iku në Ukrainë


Sportistja Olimpike nga Bjellorusia, Krystsina Tsimanouskaya, së fundmi mori një vizë humanitare nga Polonia pasi refuzoi të udhëtonte nga Minsk-u për në Tokio.

Këtë të hënë në mëngjes, 24-vjeçarja u pa duke hyrë në ambasadën polake në Tokio, pasi që kishte kaluar natën në një hotel në aeroport, aty ku aplikoi për vizë.

Sky News kontaktoi me burrin e Tsimanouskaya, Arseniy Zdanevich, i cili gjithashtu la vendin e tij Bjellorusinë, për tu larguar drejt Ukrainës.

Zdanevich, i cili tani është në Kiev, tha: “Nuk mendoja se çështja do të bëhej kaq serioze. Mora vendimin të largohesha pa u menduar dy herë”.

Ai foli me gruan e tij këtë mëngjes dhe tha se ajo ishte e qetë dhe se gjithçka ishte mirë dhe ajo ishte në një vend të sigurt.

Ai tha se nuk ka ndonjë plan të mëtejshëm, por është i sigurt se do të bashkohet me gruan e tij kudo që ajo të përfundojë.

“Ne kurrë nuk kemi pasur ndonjë lidhje politike, asnjëherë nuk kemi mbështetur opozitën. Ne jemi thjesht njerëz normalë të sportit, jemi vetëm të përkushtuar ndaj sportit dhe nuk jemi të interesuar për lëvizjen opozitare,” shtoi Zdanevich, i cili është gjithashtu një atlet.

Tsimanouskaya tha se ajo u kap nga zyrtarët e vendit të saj të dielën, pasi ajo u ankua publikisht për trajnerët kombëtarë dhe kërkoi mbrojtje nga policia.

Zyrtarët olimpikë më vonë thanë se ajo ishte “e sigurt dhe e sigurt”.

Gjithashtu edhe ambasadorja amerikane në Bjellorusi, Julie Fisher, shkroi në Twitter: “Falë veprimit të shpejtë të autoriteteve japoneze dhe polake, Tsimanouskaya është në gjendje të shmangë përpjekjet e regjimit të Lukashenkës për të diskredituar dhe poshtëruar këtë atlete”.

Mbërritja e Tsimanouskaya në ambasadën polake erdhi pasi ministri i çështjeve evropiane të Francës tha se do të ishte një nder nëse Evropa do t’i jepte azil politik Tsimanouskaya-s.

Polonia, vend në të cilin jetojnë shumë kritik të regjimit të Aleksandër Lukashenko-s, ofroi ndihmë për Tsimanouskaya me zëvendësministrin e jashtëm Marcin Przydacz, duke postuar në Tëitter se Tsimanouskaya “ka marrë një vizë humanitare”.

Ai shtoi: “Polonia do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta ndihmuar atë të vazhdojë karrierën e saj sportive.”

Por, ambasada bjelloruse në Tokio i ka bërë një kërkesë zyrtare autoriteteve japoneze, për informacion në lidhje me atleten, raportoi agjencia e lajmeve RIA.

Tsimanouskaya tha se ajo u kap nga zyrtarët e vendit të saj të dielën, pasi ajo u ankua publikisht për trajnerët kombëtarë.

Ajo e kaloi natën në një hotel në aeroport, pasi kërkoi mbrojtjen e policisë japoneze në aeroportin Haneda.

Tsimanouskaya tha në një mesazh të filmuar të shpërndarë në mediat sociale, se ajo ishte nën presion nga zyrtarët e ekipit të Bjellorusisë, kështu që i kishte kërkuar ndihmë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Ajo tha: “Unë u vura nën presion dhe ata po përpiqeshin të më nxjerrin me forcë jashtë vendit pa pëlqimin tim”.

Tsimanouskaya duhej të garonte në vrapim 200 metra për femra dhe stafetën 4 herë nga 400 metra në Lojërat Olimpike të Tokios këtë javë.

Por ajo kritikoi zyrtarët e ekipit në llogarinë e saj në Instagram, duke thënë se ajo ishte vënë në stafetë pavarësisht se kurrë nuk kishte garuar në këtë ngjarje më parë.

Stafi teknik i ekipit Olimpik të Bjellorusisë shkoi në dhomën e Tsimanouskaya-s dhe si kundërpërgjigje ndaj saj, i thanë që të mblidhte gjërat për tu nisur drejt vendlindjes.

Kur mbërriti në aeroport, ajo thirri policinë japoneze dhe refuzoi të hipte në aeroplan për të fluturuar drejt Minsk-ut.

Një grup aktivistësh që mbështesin Tsimanouskaya-n, thanë se ajo mendonte që jeta e saj ishte në rrezik në Bjellorusi dhe se ajo do të kërkonte azil në Ambasadën austriake në Tokio.

Një zëdhënës i qeverisë japoneze, Katsunobu Kato, u tha gazetarëve se Japonia po bashkëpunonte me organizata të tjera “për të marrë masat e duhura” dhe konfirmoi se sportistja ishte e sigurt.

Fondacioni Bjellorus i Solidaritetit të Sportit (BSSF) tha se Tsimanouskaya i kontaktoi ata për ndihmë nga frika se ajo do të dëbohej në Minsk, pasi mbështetësit e qeverisë e vunë në shënjestër atë.

“Fushata ishte mjaft serioze dhe ky ishte një sinjal i qartë se jeta e saj do të ishte në rrezik në Bjellorusi,” tha zëdhënësi i BSSF Alexander Opeikin.

BSSF tha se kishte blerë një biletë avioni për në Varshavë për 4 gusht dhe se sprinterja po aplikonte për vizë në ambasadën polake.

Në një deklaratë të lëshuar nga BSSF, Tsimanouskaya tha se ishte në një stacion policie të hënën herët.

Ajo tha: “I shpjegova situatën një oficeri policie se si më morën nga Fshati Olimpik.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është në mosmarrëveshje me Komitetin Olimpik të Bjellorusisë, i cili kryesohet nga presidenti autoritar i vendit, Alexander Lukashenko dhe i biri i tij, të cilëve iu është ndaluar të marrin pjesë në Olimpiadën e Tokios.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore