Lajme

Spanja premton ndihmë më të shpejtë për dëmtimet nga vullkani në La Palma


Kryeministri i Spanjës ka njoftuar se qeveria e tij do të përshpejtojë ndihmën e premtuar për të ndihmuar mijëra banorë në ishullin La Palma.

Kjo pasi shtëpitë dhe mjetet e jetesës së këtyre banorëve janë shkatërruar nga një shpërthim i zgjatur vullkanik.

Agjencia e lajmeve, “Associated Press”, tregon se kryeministri Pedro Sánchez ka pohuar se qeveria e tij do të miratojë masa të reja gjatë kësaj jave për të mundësuar miliona euro ndihmë.

Këtë, ai e ka bërë të ditur në vizitën e tij të pestë që kur ishulli Atlantik u trondit nga shpërthimi i 19 shtatorit.

Qeveria e Sánchez-it ka caktuar 63 milionë euro në ndihmë të drejtpërdrejtë, me gjashtë milionë euro të tjera për bujqësinë dhe industritë vendore të peshkimit.

Mësohet se nga shpërthimi në kreshtën vullkanike Cumbre Vieja janë dëmtuar më shumë se 2 mijë e 100 ndërtesa, kryesisht shtëpi dhe ferma.

Gjithashtu janë prishur sistemet e ujitjes dhe rrugët në zonën bujqësore.

Dhe pse një muaj më vonë, vendasit ende ndiejnë zhurmat e pandërprera nga vullkani dhe serinë e vazhdueshme të tërmeteve të nivelit të ulët nën ishullin e tyre.

Referuar “Associated Press”, 7 mijë e 500 banorë janë dashur të evakuohen nga shtëpitë e tyre në veprim të menjëhershëm nga autoritetet që kanë parandaluar humbjen e ndonjë jete.

Shumica prej tyre janë strehuar te familjarët ose miqtë, kurse rreth 430 persona janë në strehimore të përkohshme të siguruara nga qeveria vendore.

Ndërkohë, qeveria e Ishujve Kanarie po blen apartamente bosh për të strehuar ata, shtëpitë e të cilëve janë prishur.

Gjithashtu është zotuar të modifikojë rregulloret për të ndihmuar përpjekjet e rindërtimit sapo shpërthimi të ndalojë përfundimisht.

Mirëpo, ky fund s’po duket asgjëkund, ka paralajmëruar presidenti i Ishujve Kanarie, Ángel Victor Torres.

“Kemi ende javë para nesh…po jetojmë disa kohë shumë të vështira”, ka treguar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore