Shqipëria

SPAK kërkon dënimin e Alqi Bllakos për Inceneratorin e Elbasanit


Prokuroria e Posaçme SPAK ka ankimuar vendimin e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të pandehurit e çështjes së Inceneratorit të Elbasanit, ku është kërkuar që Alqi Bllako, ish-deputeti socialist dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, të dënohet.

Më 5 tetor, GJKKO dënoi ish-ministrin Lefter Koka me 8.6 vite burg (5.8 me gjykim të shkurtuar), por nga ana tjetër e liroi prej akuzave Bllakon.

Kjo erdhi pasi Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi më 25 shtator Kokën dhe Bllakon, respektivisht me 6.8 vjet burg dhe 2.8 vjet (me gjykim të shkurtuar).

Lidhur me rastin e Elbasanit, Koka është shpallur i fajshëm vetëm për akuzat e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave. Për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ai u shpall i pafajshëm.

Teksa, Bllako, u shpall i pafajshëm për të tre akuzat në këtë rast.

Nga ana tjetër, tre sipërmarrësit e kompanisë Integrated Energy, janë shpallur po ashtu të fajshëm lidhur me inceneratorin e Elbasanit.

Përkatësisht, Mirel Mërtiri është dënuar me 10 vjet burg (6.8 me gjykim të shkurtuar). Me po aq edhe Klodian Zoto.

Ndërsa, Stela Gugallja, është dënuar me 7 vjet burg (4.8 vjet me gjykim të shkurtuar).

Të tre ata megjithatë janë në arrati dhe të vendosur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.

Ndërkohë një sërë dënimesh kanë qenë edhe për persona të tjerë lidhur me rastin, ku Pëllumb Abeshi është dënuar me 4 vjet dhe përfiton nga gjykimi i shkurtuar për të bërë vetëm 2.8 vjet, Bardhyl Cabiri me dy vjet burg, Jonida Zeqo me 4 vjet (2.8 me gjykim të shkurtuar) dhe Serafin Papa me 1.4 vite burg.

Kokës ndërkaq i janë mbajtur nën sekuestro disa aksione në kompaninë e tij të kantinës së pijeve, në vlerën e korrupsionit. Ndërsa pasuritë e tjera i janë liruar nga sekuestro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore