Kosova

Sondazhi: Evropianët të ftohtë ndaj anëtarësimit të Kosovës në BE


Ilustrim

Një sondazh i publikuar të martën nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR) për zgjerimin potencial të Bashkimit Evropian (BE) ka zbuluar se evropianët janë më të hapur ndaj idesë për anëtarësimin e Ukrainës në BE, por shumë më të ftohtë ndaj anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht shtetit të Kosovës.

Pikëpamja mbizotëruese e qytetarëve në Austri, Gjermani, Francë dhe Danimarkë është se BE-ja nuk duhet të zgjerohet së shpejti, ndërkohë që ekziston mbështetje e gjerë në Poloni dhe Rumani për anëtarë të rinj, ndërsa liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për zgjerimin në një takim që pritet të mbahen më 13 dhjetor në kryeqendren evropiane.

Përkrahja më e ulët e evropianëve sa i përket zgjerimit ka qenë ndaj hyrjes së Kosovës, ku vetëm 20 për qind e kanë përkrahur anëtarësimin e kosovarëve në familjen evropiane, ndërsa 37 për qind kanë qenë kundër. Anëtarësimin e Shqipërisë e kanë përkrahur 24 për qind të qytetarëve evropianë, ndërsa 35 për qind janë shprehur kundër. Njëjtë edhe për Serbinë.

Rreth 26 për qind e kanë përkrahur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, ndërsa 27 për qind kanë qenë kundër. Sa i përket Malit të Zi, rreth 30 për qind e qytetarëve evropianë kanë përkrahur anëtarësimin e këtij vendi në BE, ndërsa 25 për qind kanë qenë kundër. Evropianët kanë kundërshtuar posaçërisht anëtarësimin potencial të Turqisë.

Në Austri, rreth 53 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur kundër anëtarësimit të Kosovës, ndërsa vetëm 22 për qind janë shprehur për. Në Gjermani, kundër anëtarësimit të Kosovës në BE janë shprehur 47 për qind e të anketuarëve, kundrejt vetëm 17 për qind të qytetarëve gjermanë të cilët kanë përkrahur hyrjen e Kosovës në unionin evropian.

Niveli i përkrahjes për anëtarësimin e Kosovës është shumë i ulët në Francë, ku vetëm 12 përqind janë shprehur për, kurse 42 për qind kundër. Në Danimarkë, anëtarësimin e Kosovës e kanë përkrahur 22 për qind e të anketuarve, ndërsa 33 për qind kundër. Rreth 27 për qind e polakëve janë shprehur për anëtarësimin e Kosovës, kurse vetëm 20 për qind kundër.

Shumë interesante janë edhe rezultatet e sondazhit në Rumani – një ndër pesë vendet e BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Rreth 29 për qind e rumunëve janë shprehur indiferentë ndaj anëtarësimit të Kosovës, kurse 22 për qind kanë përkrahur këtë masë, ndryshe nga 24 për qind  prej tyre kundër anëtarësimit të Kosovës në BE.

Ndërkaq, përkrahja më e lartë për anëtarësimin e Ukrainës është në Danimarkë (50 për qind) dhe Poloni (47 për qind). Në Rumani (32 për qind për, 29 për qind kundër), Gjermani (37 për qind për, 39 për qind kundër) dhe Francë (29 për qind për, 35 për qind kundër). Në Austri, shumica e qytetarëve (52 për qind) kanë qenë kundër anëtarësimit të Ukrainës.

Gjetjet e sondazhit të ECFR-së vijnë në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-se deri në vitin 2030. Kosova e ka dorëzuar aplikacionin e saj për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit të kaluar. Bosnje-Hercegovina ka marrë statusin e kandidatit në fund të 2022-ës, kurse Shqipëria dhe Mali i Zi janë aktualisht lidere për sa i përket anëtarësimit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore