Pajisje

Solarwatt-i dhe BMW-ja, bashkëpunojnë për bateritë


Nga vjeshta, firma gjermane Solarwatt do të nisë shitjen e baterive të akumulimit në bashkëpunim me prodhuesin e makinave BMW, mes një konvergjence të vazhdueshme të energjisë së rinovueshme dhe lëvizshmërisë elektrike.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se në bazë të marrëveshjes, BMW-ja do të furnizojë komponentët e baterisë të përdorura gjithashtu në automjetet e saj elektrike për Solarwatt-in me bazë në Dresden, i cili do të zhvillojë dhe mbledhë produktet e ruajtjes fotovoltaike (PV).

Për të plotësuar instalimet diellore në tavan, kjo do të kryhet nën emrin e markës Battery flex në Gjermani.

“Ne jemi të kënaqur që përmes partneritetit tonë me Solarwatt-in, ne mund të japim një kontribut shtesë pozitiv në afrimin e fotovoltaikëve dhe elektromobilitetit”, ka thënë ekzekutivi i BMW-së, Eric Hamm.

Meqë çmimi i teknologjisë së baterisë ka rënë, është duke u bërë përherë e më ekonomike për familjet që të ruajnë tepricën e energjisë diellore për të furnizuar prizat e energjisë ose ngrohjen e ujit në mënyrë direkte. Një zgjidhje kjo në vend që t’ia shesin atë operatorëve të rrjetit.

Një tjetër përparësi është edhe përdorimi i energjisë diellore për të furnizuar pompat e nxehtësisë ose për të ngarkuar makina elektrike, duke ndihmuar në zvogëlimin e ngrohjes globale duke zëvendësuar energjinë e gjeneruar nga karburantet fosile.

Deri në vitin 2025, Solarwatt-i do të investojë 100 milionë euro në linjat e prodhimit dhe do të plotësojë Battery flex-in me software inteligjentë për të menaxhuar rrjedhat e energjisë nëpër shtëpi, për të ndihmuar në uljen e kostove dhe rritjen e vetë-mjaftueshmërisë së familjeve.

Gjithashtu kompania do të ofrojë instalime, matje, këshilla për sigurimin dhe taksat dhe do të zgjerojë kanalet e shitjeve.

Lidhur me Solarwatt-in, shumica e tij është në pronësi të Stefan Quandt-it, i cili zotëron gati gjysmën e prodhuesit të makinave luksoze, BMW, së bashku me motrën e tij, Susanne Klatten.

Aktualisht, tregu gjerman i baterive drejtohet nga rivali i Solarwatt-it, Sonnen-i, i cili është pjesë e Shell-it.

Sipas të dhënave të Institutit Fraunhofer, në tremujorin e parë të vitit 2021, furnizimi gjerman me energji diellore, në 7.24 teravat orë, mbante një pjesë prej 5.4 për qind të vëllimeve totale të rrjetit të energjisë.

Dhe vetëm gjatë vitit të kaluar, Solarwatt-i shiti 16 mijë sisteme PV në Gjermani dhe raportoi qarkullim prej 120 milionë euro apo ndryshe 146 milionë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore