Lajme

“S’ka shpresë”, analisti serb: Jemi viktima të narrativës kriminale të Vuçiç’it, Millosheviç’it e Sheshel’it


Lideri i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Kryetari i Forumit Demokratik Qytetar, Zoran Vuletiç, në një prononcim për mediumin opozitar serb “Danas”, ka thënë se struktura politike në Serbi, e cila refuzon të përballet me faktet, mban përgjegjësi të plot për situatën aktuale në veri të Kosovës.

Ai theksoi se serbët janë viktima të retorikës fashiste të kriminelëve si Slobodan Millosheviç dhe Vojisllav Sheshel.

“Diskutimi në parlamentin tonë për Kosovën në shtator tregoi pafuqinë e shoqërisë, asnjë grup i vetëm parlamentar nuk e kundërshtoi narrativën zyrtare që Millosheviçi dhe Shesheli e formuan në vitin 1999”.

“Fatkeqësisht, të gjithë jemi viktima të asaj politike gënjeshtare kriminale, nuk ka fund për ato gënjeshtra dhe asnjë fije shprese”, shtoi ai.

Vuletiç nënvizoi faktin se serbët e Kosovës janë injorantë, meqë nuk është hera e parë që instrumentalizohen nga regjimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Të gjithë e dinë se ne nuk mund të hyjmë në BE derisa të pranojmë të vërtetën në Kosovë”, pohoi ai teksa shtoi se “Kosova duhet të anëtarësohet në OKB dhe as Rusia nuk mund ta pengojë”

Prandaj, ai apeloi te shoqëria civile që të mos heshtë më dhe te politikanët serbë që t’i ndalin shpifjet “për të mbështetur barrikadat e sotme të Vuçiç’it dhe narrativën e Sheshel’it për fitoren në ’99”.

Kujtojmë që Vuçiç ishte i preferuari politikanit nacionalist serb Vojisllav Sheshel gjatë kohës së luftërave në Ballkan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore