Lajme

S’ka kuorum për t’i vazhduar masat emergjente për energjinë


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta zgjasë vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat emergjente për energjinë elektrike kjo për shkak se në seancën plenare nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.

“Nuk ka kuorum Kuvendi për të marrë këtë vendim sepse kanë votuar vetëm 58 deputetë”, ka deklaruar Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kritik ndaj vendimit të Qeverise së Kosovës për masat emergjente në fushën e energjisë elektrike ka qenë shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Sipas tij Qeveria e Kosovës për katër herë radhazi shpall gjendje emergjente në fushën e energjisë, por e njëjta nuk prodhon asgjë konkrete.

“Përballemi me mungesë të energjisë në muajin gusht, që s’jemi përballë as në vitin 1999 kur jemi çliruar”, ka thënë Tahiri.

Qeveria e Kosovës, sipas Tahiri nuk po e di për çka shërben shpallja e gjendjes emergjente.

“Çmimi është rritur. Planifikim të duhur nuk ka. Qeveria qëndron në heshtje. Kjo paaftësi kur po bëhen 2 vjet që po ballafaqohesh me probleme e njëjta”.

Abelard Tahiri

Tahiri më tej ka dhënë si shembull disa nga shtetet e rajonit të cilët kanë marrë masa më konkrete lidhur me çështjen e energjisë elektrike.

“E kemi parë kryeministrin e Maqedonisë që ka deklaruar se nuk do të ketë ngritje çmimesh dhe se është siguruar energji. Njëjtë edhe Shqipëria. I vetmi njeri që se ka bërë këtë është kryeministri ynë”.

“Kryeministri duhet të reflektojë. Ne jemi për t’ju ndihmuar ta përballojmë këtë gjendje sa më lehtë. Në radhë të parë këtë proces po e karakterizon një mostransparencë e madhe. Situata në të cilën po e sillni vendin është e rëndë dhe e pa tolerueshme. Për një gjë po ju shërben mirë shpallja e masave emergjente që të bëhen kontrata njëburimore në KEK pa procedura transparente e të prokurimit. Na duhet një angazhim i kryeministrit si kryeministrat e rajonit”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në foltoren e Kuvendit u ka bërë thirrje familjeve për kursim të energjisë, e po ashtu të izolojnë shtëpitë para se të fillojë ulja e temperaturave.

“Çfarë mund të bëjë secili nga ne është kursimi i energjisë elektrike brenda mundësive. Të ndryshohet mënyra e ngrohjes me mjete tjera e jo me energji elektrike, apo me mjete më efiçente. Ne si Qeveri kemi marrë masa e po vazhdojmë të marrim masa prej kursimit deri te mbështetja e atyre që nuk kanë mundësi”, ka thënë Rizvanolli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore