Lajme

Situata humanitare rreth Kievit mbetet sfiduese


Kreu i administratës ushtarake rajonale të Kievit, Oleksiy Kuleba, tha se situata humanitare në zonat përreth qytetit mbetet e vështirë.

“Çështja kryesore sot mbetet ndihma humanitare. Bucha, Irpin, Gostomel, Makariv, Borodyanka, Vorzel – banorët e këtyre vendbanimeve janë të detyruar të qëndrojnë në strehimore për ditë të tëra pa ujë dhe ushqim. Pushtuesit nuk japin korridore humanitare, nuk japin garanci”, tha Kuleba.

Pesë rrethet janë në veri dhe perëndim të Kievit.

“Okupatorët rusë vazhdojnë t’i bombardojnë zonat e banuara. Ata vazhdojnë të sjellin më shumë automjete ushtarake”, tha Kuleba në një deklaratë video në YouTube.

“Ne kërkojmë heshtje çdo ditë, çdo orë, çdo minutë. Ne do të dërgojmë menjëherë ndihmë dhe do t’i evakuojmë njerëzit tanë”, tha ai.

“Ne po bëjmë gjithçka për të ndaluar katastrofën humanitare në rajonin e Kievit”, shtoi ai.

Rusia kishte propozuar një armëpushim të martën për pesë qytete të Ukrainës.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se një kolonë e shumëpritur e ndihmave humanitare, për qytetin e rrethuar të Mariupol-it në bregun jugor, duket se është vënë nën zjarr.

Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se më shumë se 700 njerëz janë evakuuar përgjatë një korridori humanitar të rënë dakord nga qyteti verilindor i Ukrainës, Sumy, të martën.

Kjo është dita e 13-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të ashpër kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe mbi 11 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën.

Ndërsa të paktën 474 civilë, përfshirë 29 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore