Lajme

Siria – nën hijen e Gazës – përballet me një konflikt të ri


Në Gaza, shkalla dhe egërsia e konfliktit dhe vuajtjet e papërshkrueshme të civilëve, kanë provokuar me të drejtë zemërim anembanë botës.

E kundërta ndodh në Siri.

Një përshkallëzim i mprehtë i dhunës që ka detyruar ikjen e dhjetëra mijëra njerëzve në atë që mbetet kriza më e madhe e zhvendosjes në botë, po ndodh pa u vënë re jashtë rajonit.

Edhe Siria ka dëshpërimisht nevojë për ndalimin e dhunës.

Por tani lufta më shumë se 12-vjeçare atje bëhet më intensive, përgjatë pesë fronteve në një kaleidoskop konflikti.

Qeveria siriane dhe forcat ruse po luftojnë grupet e armatosura të opozitës në veriperëndim; ISIS po shton sulmet e tij në të gjithë vendin; Turqia po sulmon forcat e udhëhequra nga kurdët në verilindje; forcat e udhëhequra nga kurdët po luftojnë fiset lokale; dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli po reagojnë kundër forcave të lidhura me Iranin.

Me rajonin në trazira, është e domosdoshme një përpjekje e përkushtuar ndërkombëtare për të frenuar luftimet në tokën siriane.

Për mbi një dekadë gjakderdhjeje, duhet një fund diplomatik.

Po ashtu një armëpushim i qëndrueshëm në Gaza do të qetësonte ndjeshëm situatën në Siri, duke ulur tensionet midis fuqive të huaja që janë ushtarakisht aktive brenda vendit.

Në Homs, në Sirinë perëndimore, një sulm me dron nga sulmues të panjohur vrau dhe plagosi shumë anëtarë të familjes dhe të tjerë në një ceremoni diplomimi të akademisë ushtarake më 5 tetor.

Ushtria siriane dhe forcat ruse, të cilat kanë mbështetur presidentin Bashar al- Assad, u hakmor duke sulmuar të paktën 2 mijë e 300 lokacione në veriperëndim të kontrolluar nga opozita, me shkolla, spitale, tregje dhe kampe për sirianët të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Afro 120 mijë njerëz u detyruan të ikin dhe të paktën 500 civilë u plagosën ose u vranë.

Ndërkohë, armët kanë përfshirë municione thërrmuese të ndaluara ndërkombëtarisht.

Në të kaluarën, këto zbulime shkaktuan zemërim të gjerë. Dallimi tani? Vëmendja e botës është diku tjetër.

ISIS gjithashtu po rrit aktivitetin e tij vdekjeprurës brenda Sirisë, duke sulmuar objektiva civile dhe ushtarake, duke vazhduar të demonstrojë kapacitetin operacional dhe ideologjinë ekstremiste.

Në verilindje, forcat turke kanë përshpejtuar operacionet e tyre kundër Forcave Demokratike Siriane, një grup opozitar që Turqia thotë se ka lidhje me aktivitetin terrorist në tokën e saj.

Grupi ka luftuar gjithashtu fiset lokale në Deir al Zour, qyteti më i madh i Sirisë lindore, në një konflikt të nxitur nga ankesat e gjata se administrata lokale e udhëhequr nga kurdët nuk po arrin të ofrojë shërbime thelbësore ose të sigurojë të drejtat themelore.

Sakaq, vdekjet e civilëve që kanë ndodhur mbeten të pa numëruara.

Dhe më alarmante, tensionet e rritura rajonale që lindin nga sulmi i Gazës kanë çuar në shtimin e sulmeve në tokën siriane nga Izraeli dhe nga milicitë iraniane.

Bazat e SHBA-ve në Siri janë sulmuar mbi 50 herë nga milicitë që nga tetori.

Shumë përpara sulmit të 28 janarit në Jordani që vrau tre pjesëtarë të shërbimit amerikan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme hakmarrëse ndaj objekteve që thuhet se përdoren nga grupet e lidhura me Iranin dhe vrasjet në Jordani kanë çuar në një valë të re sulmesh hakmarrëse amerikane në Siri, Iraku dhe Jemeni, duke krijuar frikë për një konflikt më të gjerë.

Sulmet ajrore izraelite sakaq, gjoja të synuara ndaj aseteve të lidhura me Iranin, kanë nxjerrë vazhdimisht jashtë funksionit aeroportet civile të Sirisë, të nevojshme urgjentisht për dërgimin e ndihmave humanitare.

Sirianët, mes gjithë kësaj, përballen me vështirësi në rritje dhe të pa tolerueshme.

Afro 17 milionë prej tyre kanë nevojë për ndihmë humanitare si ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor.

Megjithatë, dërgesat e ndihmave janë të varura nga një fije, të varura nga arbitrariteti i qeverisë siriane dhe të penguara nga sanksionet.

Nga ana tjetër, një mungesë e madhe në fondet e donatorëve e detyroi Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së të pezullojë ndihmën e rregullt ushqimore në Siri, duke vënë miliona në kontrollin e urisë.

Një nga luftërat civile më brutale të këtij shekulli ka marrë më shumë se 300 mijë jetë civile në Siri gjatë dhjetë viteve të fundit.

Nuk duhet të jetë çudi që numri i sirianëve që kërkojnë azil në Evropë në tetor arriti nivelin më të lartë në shtatë vjet.

Deri më tani, thuajse çdo krim lufte dhe krim kundër njerëzimit i mbuluar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare është kryer në Siri: shënjestrim i qëllimshëm i spitaleve dhe punonjësve shëndetësorë, sulme të drejtpërdrejta dhe pa dallim ndaj civilëve nën maskën e luftimit të “terroristëve me ekzekutime të përmbledhura, tortura dhe zhdukje me forcë të dhjetëra mijëra njerëzve”.

Plus kësaj edhe gjenocidi kryesisht i pa adresuar i Yazidëve gjatë periudhës së sundimit të ISIS në pjesë të Sirisë.

Mungesa e gjatë e respektimit të të drejtave themelore ndërkombëtare të njeriut dhe ligjit humanitar në Siri jo vetëm që mundëson vrasjen dhe gjymtimin e viktimave në të gjitha anët e konfliktit, por gjithashtu gërryen thelbin e sistemit të mbrojtjes ndërkombëtare.

Është mosrespektim i dukshëm i ligjit ndërkombëtar në një listë konfliktesh në rritje – duke përfshirë Ukrainën, Sudanin dhe tani Gazën.

Shtetet anëtare duhet të veprojnë urgjentisht për të ndalur këtë prirje alarmante.

Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Sirinë të ndërpresë torturat.

Në vitet e fundit, prokurorët e zellshëm në Evropë kanë dënuar më shumë se 50 autorë të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera në Siri.

Përpjekje të tilla duhet të vazhdojnë, të mbështeten dhe të zgjerohen për mizoritë e kryera jo vetëm në Siri, por kudo.

Shkeljet më të rënda mund të përfundojnë nëse luftimet ndalojnë.

Ndaj komuniteti ndërkombëtar duhet të mos harrojë krizën siriane.

Siria ka nevojë për diplomatë të guximshëm, donatorë të guximshëm dhe prokurorë të vendosur më shumë se kurrë.

E më shumë se çdo gjë tjetër, pas gati 13 vjet konflikti, ka nevojë për një armëpushim mbarëkombëtar tani.

Marrë nga “The New York Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore