Shqipëria

Sipërmarrjet e huaja pushtojnë Italinë, shqiptarët ndër më të shumtët


Shifra të padëgjuara më parë kanë ardhur nga Italia, sa i përket sipërmarrjeve të huaja në shtetin apenin, të cilat kanë arritur një rekord prej 10.7% të totalit të gjithë sipërmarrjeve në vend.

Në tërësi, janë thuajse 650 mijë biznese të sjella nga të huajt në shtetin fqinj, deri në mars të vitit 2022. Në shtrirjen e territorit, 94% e komunave italiane, kanë të paktën një sipërmarrje të huaj të vendosur aty.

Pavarësisht se mendohet se një ndër faktorët lidhur me këtë situatë është edhe emergjenca e shkaktuar nga COVID-19, një trend rritës në strukturën e biznesit në Itali ishte vënë re prej kohësh.

Ajo çfarë më shumë bie në sy ndërkohë, është se ndër sipërmarrësit më të shumtë janë edhe shqiptarët, të cilët lihen pas vetëm nga rumunët, sipas të dhënave të publikuara nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë italiane.

Sektori i ndërtimit është ai me më së shumti ndërmarrje të krijuara. Vetëm gjatë periudhës dy-vjeçare mars 2020 deri mars 2022, janë shtuar në tërësi në treg 20 mijë e 974 kompani në sektorin e ndërtimit.

Rritje të ndjeshme kanë pasur po ashtu edhe sipërmarrjet nigeriane e pakistaneze, duke gjetur në shtetin anëtar të Bashkimit Evropian kushtet e favorshme për biznes.

Sipas kreut të Dhomës italiane të Tregtisë nga ana tjetër, Andrea Prete, ky aspekt tregon se si këto ndërmarrje po kthehen në një realitet të ri italian. Mirëpo, në të njëjtën kohë, ato nuk kanë një strukturë të mirëndërtuar dhe kryesisht janë sipërmarrje të vogla.

Ndër faktorët ndikues ai radhit edhe fluksin e emigrantëve që shkojnë në Itali. Ndaj, një ndalim të afërt të rritjes së sipërmarrjes së huaj në vendin e tij, Prete nuk e sheh të afërt.

Përkundrazi, ai mendon se do të ketë rritje të kësaj të fundit edhe për vitet në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore