Lajme

Sindikata e Policisë: Policët në Veri rrezikohen nga përhapja e ndonjë “pandemie”


Policia e Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, konsideron se zyrtarët policorë të bllokuar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak rrezikohen nga përhapja e ndonjë pandemie.

Ai ka kërkuar që të bëhet e pamundur që zyrtarët policorë që janë në ato dy lokacione të ndërrohen.

“Përmes mediave kemi kërkuar që të bëjnë të pamundurën që sa më shpejt të bëhet ndërrimi i zyrtarëve policorë që i kemi në ato dy lokacione”.

“Policët ndër të tjera në ambientin në të cilin jetojnë dhe në kushtet  të cilat janë duke mbijetuar domethënë e kanë të rrezikuar shëndetin dhe jetën nga ndonjë sëmundje apo pandemi, përkundër që mund të kenë edhe rreziqe të tjera”, deklaroi ai për agjencinë e lajme Ekonomia Online.

Kurse mosndërrimin e zyrtarëve e ka quajtur “skandaloz”.

“Po e shfrytëzoj edhe mediumin tuaj që t’iu bëjë thirrje organeve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe ndërkombëtarëve që të bashkërendojnë veprimet e tyre dhe që sa më parë të bëjnë ndërrimin e zyrtarëve policorë, të bëjnë ndërrime të rregullta, definitivisht kjo është jo vetëm e papranueshme po është një diçka, skandaloze me një fjalë”, shtoi tutje ai.

Por mbi të gjitha ai sheh një vullnet që kolegët e tij në këto dy pika janë duke kryer detyrat e tyre në maksimum.

“Domethënë jemi në kontakt me zyrtarët policorë që janë edhe në Leposaviq dhe Jarinjë domethënë janë këto dy lokacione që 10 ditë nuk është bërë ndërrimi i tyre dhe kushtet e tyre ta them kështu që morali dhe vullneti i të gjithë kolegëve është në maksimum”.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri

Më 20 dhjetor, misioni i NATO-s në Kosovë KFOR-i në koordinim edhe me Policinë e Kosovës ka bërë transportimin e nëntë zyrtarëve policorë nga Veriu i Mitrovicës për në Jug të saj, pasi të njëjtit kishin mbetur të ngujuar që nga 10 dhjetori në vendet e tyre të punës ndërkohë që Serbët kishin barrikaduar rrugët duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Kështu të paktën kishte bërë të ditur në një përgjigje për Albanian Post, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Sipas tij policët janë transportuar nga komuna e Leposaviqit dhe pikë kalimi kufitar Jarinjë për në jug të Mitrovicës për “shkaqe shëndetësore kronike”.

“Referuar situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, Policia e Kosovës sipas nevojës bashkëpunon dhe mban kontakte të vazhdueshme me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme PK-ja mban edhe me KFOR-in, të cilë sot për shkaqe shëndetësore kronike kanë përkrahur transportimin e 9 zyrtarëve policor nga veriu në jug”, ka thënë Kelani për AP.

Nga 10 dhjetori Serbët në Veri të Kosovës po protestojnë duke bllokuar rrugët pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili po akuzohet nga institucionet e drejtësisë për akte terroriste.

Si pasojë e barrikadimit të serbëve, edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët atë ditë po kryenin detyrat e tyre në komunën e Leposaviqit dhe pikë kalimin kufitare Jarinjë mbetën të bllokuar pa pasur mundësi të kenë qasje në pjesë tjetër të territorit të Republikës së Kosovës.

Mu për këtë arsye edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, kishte lëshuar një komunikatë me anë të së cilës i bëhej thirrje Qeverisë së Kosovës, Presidencës, KFOR-it, EULEX-it e ambasadave të QUINT-it, që të ndërmarrin të gjitha veprimet që të sigurohet lëvizja e lirë për policët të cilët kanë mbetur të bllokuar qe 11 ditë në pjesën veriore të vendit.

Lidhur me këtë rast ditë më parë pati raportuar edhe Albanian Post.

Albanian Post duke u thirrur në burime brenda Policisë së Kosovës, pati raportuar se afër 20 policë të Kosovës, të njësive të ndryshme, nga 10 dhjetori kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare në Jarinjë.

Pa furnizime, pa karburante… – afër 20 policë janë lënë tash e 4 ditë të bllokuar në pikën kufitare në Jarninjë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore