Sport

Simeone: Nuk kanë faj lojtarët, dështaku jam unë


Atletico Madrid kaloi në një periudhë shumë të vështirë në pjesën e dytë të sezonit në La Liga, teksa mjafton të kujtosh se kanë fituar vetëm një pikë ndaj tre kundërshtarëve të fundit si: Mallorca, Espanyol dhe Cadiz.

Skuadra e Diego Simeone-s aktualisht renditen në vendin e pestë në La Liga me 24 pikë, 13 më pak se Barcelona kryesuese, derisa ata tani e gjejnë vetën të eliminuar nga Liga e Kampionëve, madje nuk e arritën as vendin e tretë në grup, për të vazhduar në Ligën e Evropës.

Për të gjitha këto dështime, foli vetë trajneri i ekipit madrilen, Simeone, i cili të gjithë fajin ia hodhi vetës.

“Kemi një ekip të pasur me lojtarë, madje katër prej tyre luajtën në finalen e Kupës së Botës. Ndoshta jam unë ai që nuk po e jap maksimumin”, tha Simeone.

“Kemi një skuadër të madhe, unë jam ai që duhet të përmirësohet në mënyrë që djemtë të rritin nivelin e tyre. Janë pak a shumë të njëjtit lojtarë që fituan titullin, pa përfshirë Suarez dhe Trippier”, shtoi argjentinasi.

“Lojtarët janë në nivel, por trajneri është ai që po dështon tek Atletico”, u shpreh Simeone duke e kritikuar vetveten.

Kujtojmë që Simeone është trajner i Atletico-s që nga dhjetori i vitit 2011. Deri më tani ai ka qenë në krye të skuadrës madrilene në 600 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave i ka fituar 351, ka barazuar në 140 dhe numëron 109 humbje.

Atletico Madrid rikthehet në fushë të enjten më 29 dhjetor përballë Elche-s në “Wanda Metropolitana”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore