Lajme

Si u doli afati mbi 133 mijë vaksinave në Kosovë?


Vaksina AstraZeneca

“Mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca të cilat ishin donacion nga Norvegjia u ka skaduar afati”.

Kështu ka njoftuar të mëkurën ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë një konference për media, derisa bëri të ditur se ekipet e vaksinimit do të intensifikojnë punën edhe gjatë vikendit, filluar nga java e ardhshme.

Pse vaksinave u doli afati sipas MSH-së?

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë për Albanian Post se posa e kishin e kishin marrë donacionin nga Mbretëria e Norvegjisë, “duke ditur faktin se disa vaksina kishin afat përdorimi deri me 31 korrik, ndërsa të tjerat deri më 31 gusht, pra një afat bukur të shkurtër, filloi që qytetarëve, sidomos moshave më të shtyra t’ua ofrojë vaksinën AstraZeneca”.

“Por, fatkeqësisht, në vend të përkrahjes së këtij veprimi, MSh filloi të akuzohej pse po jep AstraZeneca e jo vetëm Pfizer, për më tepër figura politike shpërndanë dezinformata se gjoja Ministria ka pranuar një donacion të vaksinave pa afat që përveç tjerash është edhe mungesë respekti nga ana e këtyre shpërndarësve të dezinformatave ndaj donatorit dhe kjo u reflektua menjëherë që pësuan rënie nga 13 mijë të vaksinuar sa ishin atyre ditëve, ranë në 5000 mijë”, tha Hoti.

Sipas Hotit, MSh u detyrua që qytetareve t’u mundësojë zgjedhjen, “e për shumicën zgjedhja e parë ishte Pfizer fatkeqësisht”.

“Përkundër promovimit të AstraZences, të cilën e kanë marrë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe mjaft figura publike, pa ndonjë argument të bazuar, një pjesë e popullatës e ka bojkotuar këtë vaksinë.

“Për më tepër në ditët e fundit të gushtit atyre që kanë marrë AstraZeneca u është mundësuar që këtë ta bëjnë vetëm duke shkuar në qendra të vaksinimit, por prapë, jo në atë nivel të kërkesës sa është Pfizer, përkundër rezultateve të mira te AstraZeneca që po dëshmohen edhe tani”.

Hoti ka theksuar se MSh nuk do të administrojë vaksina pa afat në asnjë rrethanë, “ndërsa procesin e vaksinimit do ta vazhdojë me ritmin aktual që është premtues për ngritje të shpejt të vaksinimit në mesin e popullatës”.

Haxhiu: S’merrem me teori konspirative

Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili gjatë muajit korrik pati ngritur dyshimet se vaksinat e pranuara donacion nga Norvegjia, “ishin me afat të skaduar”, ka theksuar për AP se “unë me teori konspirative nuk jam marrë kurrë”.

Haxhiu ka kërkuar që ministri Vitia të intervistohet nga Prokuroria, pasi sipas tij, Arben Vita, “do të duhej të jep deklaratë para prokurorit, e jo para Ministrisë së Shëndetësisë, sepse ka pranuar donacion në kundërshtim me Ligjin për Produkte Medicianale”.

“MSH nuk i ka vaksinuar qytetarët të shtunave dhe të dielave, për këtë i ka skaduar afati vaksinave në fjalë. Duke e ditur që i skadon afati me 31 gusht, shtrohet pyetja pse është pushuar të shtunave dhe të dielave, pse nuk janë shfrytëzuar këto, pasi Ministri Vitia nuk e përmendi një ditë më parë që i ka në stok edhe mbi 130 mijë vaksina”, ka deklaruar Haxhiu për AP.

Ndërkaq numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit të mërkurën ishte gjithsejtë 15 mijë e 835.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 557 mijë e 322 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 284 mijë e 269.

Në Kosovë deri më tani janë përdorur vetëm dy lloje të vaksinave, AstraZeneca dhe Pfizer.

Derisa dozat e AstraZenecas kanë ardhur kryesisht ndërmjet programit COVAX dhe si donacione direkte nga shtetet e tjera evropiane.

Ndërsa, një pjesë e vaksinave Pfizer kanë ardhur si donacion i Bashkimit Evropian ndërkaq një pjesë tjetër janë blerë nga Qeveria e Kosovës

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të mërkurën e 1 shtatorit në Kosovë ka raportuar 22 persona të vdekur nga COVID-19 dhe një mijë e 894 persona të infektuar.

Numri i të infektuarve vjen nga 14 mijë e 284 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë një mijë e 354 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 27 mijë e 404.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 15 mijë e 835.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 557 mijë e 322 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 284 mijë e 269.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore