Bota

Si u bë Izraeli vendi që vaksinon më shpejt popullsinë?


Në Izrael mbi 12% e qytetarëve janë vaksinuar ndaj Covid-19, duke e bërë vendin që vaksinon më shpejt në raport me popullsinë.

Edhe pse vende si Kina, SHBA-ja apo Britania e Madhe kanë numër më të lartë personash të vaksinuar, në raport me popullsinë ato janë ende shumë larg Izraelit. SHBA-ja për shembull, ka vaksinuar vetëm 1% të popullsisë.

Por si arriti Izraeli të bëhet vendi që vaksinon më shpejt në botë?

E gjithë historia nis me strategjinë që sistemi shëndetësor ndjek. Gjithçka është e digjitalizuar dhe çdo qytetar është i detyruar me ligj të ketë kartelën mjekësore digjitale. Kjo bashkohet me një politikë të centralizuar që Izraeli ndjek për vaksinimin.

Diçka tjetër që ka ndihmuar është popullsia e vogël që Izraeli ka. Me vetëm nëntë milionë banorë, është më e thjeshtë të mobilizosh popullsinë.

Ndërkohë Izraeli ka ndjekur dhe një strategji shumë të egër edhe për sigurimin e vaksinës. Ai u bë ndër shtetet e para që u fut në luftën për të marrë dozat e nevojshme. Madje shteti izraelit pagoi më shumë seç duhej për të qenë ndër vendet e para ku vaksina mbërrinte.

Falë besueshmërisë së lartë që ka sistemi shëndetësor, edhe vetë kompanitë farmaceutike preferuan që t’ia shisnin Izraelit vaksinën fillimisht. Pra, reputacioni i mirë, efikasiteti në shpërndarje dhe mbledhja e sigurt e të dhënave i dha shtytje sigurimit të dozave të shumta.

Izraeli në tetor riktheu masat e kufizimeve të pjesshme. Kjo pasi vendi u përball me një numër shumë të lartë rastesh. Mbi 420 mijë izraelitë janë infektuar. Në raport me popullsinë është ndër shifrat më të larta në botë.

Ndërkohë numri i vdekjeve ka qenë 3 mijë e 325. Kjo ka bërë që prioriteti i vaksinimit të jenë njerëzit mbi 60 vjeç dhe personeli shëndetësor.

Izraeli kryen rreth 150 mijë vaksinime në ditë. Me ritme të tilla, pritet që vendi të injektojë dozat e dyta tek pacientët në fund të janarit.

Pavarësisht kësaj efiçence me vaksinimin, zona palestineze e West Bank nuk ka përfituar ende nga vaksinimi./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore