Lajme

Si e gjejnë fëmijët mikun më të mirë?


Përpos shumë të tjerave, pandemia ka zbuluar edhe se cilët janë miqtë më të ngushtë.

Të privuar nga mundësitë sociale për të bashkëvepruar me një grup më të gjerë, njerëzit u bënë më të varur nga grupi i vogël i të besuarve.

Më dramatike ka qenë për fëmijët, sidomos për më të vegjlit që nuk e shijojnë dot një lidhje në platformën Zoom.

Kështu, u kanë munguar miqtë e ngushtë me të cilët kalojnë pjesën më të mirë të kohës.

Ky grup i vogël miqsh nuk janë veç persona me të cilët pëlqehet shoqërimi, por janë ata të cilëve u besohet plotësisht, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Fëmijët, priren t’i trajtojnë ata si anëtarë të familjes së madhe deri në atë pikë sa shtëpitë e të dyja palëve bëhen shtëpi të gjithsecilit prej tyre.

“Miqësia e mirë ka prirje të ketë intimitet, një ndjenjë se personi tjetër është aty për ty”, ka treguar Rebecca Graber, pedagoge psikologjie në Universitetin e Sussex-it, në Mbretërinë e Bashkuar.

Por a jemi të programuar që të kemi miq të mirë?

Sipas hulumtimeve, ka baza të forta evolucionare që shpjegojnë pse zgjidhet të krijohen lidhje të ngushta sociale me të tjerët.

Megjithatë, natyra e saktë e këtyre lidhjeve mund të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme dhe të kuptuarit e këtij diversiteti mund t’u ofrojë shumë rehati dhe shpresë atyre që dëshirojnë një mik më të mirë dhe që luftojnë për të gjetur një të tillë.

“Tradicionalisht, e kemi menduar miqësinë si kulturore. Por është më e thellë se kaq dhe më thelbësore”, ka thënë Lydia Denworth, autore e librit “Friendship”.

Këto lloj miqësish nuk janë domosdoshmërisht ekskluzive, në kuptimin e zgjedhjes së një shoku mbi gjithë të tjerët. Përkundrazi, ato mund të përbëhen nga lidhje të krijuara me kalimin e kohës.

Gjetja e miqve

Gjetja dhe mbajtja e miqve është një aftësi që mund të marrë pak kohë për t’u zhvilluar, dallon “BBC”.

Rreth moshës katër vjeç, fëmijët zhvillojnë një kuptim se njerëzit e tjerë mund të kenë mendime, interesa dhe ndjenja që janë të ndryshme nga të tyret.

Ky kapacitet në zhvillim, i njohur si Teoria e Mendjes, i ndihmon fëmijët të bëjnë miq, ka treguar Eileen Kennedy-Moore, psikologe klinike dhe autore e librit “Growing Friendships”.

Ajo ka zbuluar se shpesh, fëmijët kanë një pikëpamje pragmatike të miqësisë, duke krijuar lidhje të ngushta me bashkëmoshatarët në këndin e lojërave ose në klasë.

“Gjëja që fëmijët kanë si avantazh ndaj të rriturve është se ata janë në dhomë me 25 të tjerë në fazën e tyre të jetës. Në moshën madhore duhet përpjekje e qëllimshme për të gjetur dhe kultivuar miqësi”, veçon psikologia.

Madje, miqësitë e mira mund t’i ndihmojnë fëmijët të përgatiten për marrëdhënie të ngushta, duke përfshirë ato romantike, teksa rriten.

“Miqësia e mirë është me të vërtetë si të biesh në dashuri”, ka ilustruar Kennedy-Moore.

Për të, “miqësitë e ngushta në fëmijëri i ndihmojnë fëmijët të praktikojnë aftësitë që u nevojiten në marrëdhëniet intime gjatë gjithë jetës së tyre. Ata mësojnë për njerëzit e tjerë dhe për veten e tyre, për t’u përballur me ndjenja si vetmia, xhelozia dhe zhgënjimi”.

Ndërkaq, edhe prindërit mund t’i mbështesin fëmijët e tyre në krijimin e miqësive duke organizuar takime argëtuese jashtë shkollës.

Gjithashtu ata mund t’i mësojnë fëmijës së tyre se si të bashkohet me lojëra dhe aktivitete.

Përfitimet shëndetësore

Të ndihmosh fëmijët të zhvillojnë miqësi të forta mund të jetë një dhuratë me përfitime gjatë gjithë jetës, duke përfshirë një shëndet më të mirë mendor dhe fizik.

Sipas një hulumtimi, ruajtja e miqësive të ngushta ka një ndikim pozitiv në shëndetin kardiovaskular dhe neuroendokrin, si dhe në sistemin imunitar.

Gjetjet, ka thënë Denworth, theksojnë rëndësinë e trajtimit të miqësisë si një “përpjekje gjatë gjithë jetës”.

Gjithashtu ka shtuar se “asnjëherë nuk është vonë për të bërë miq të rinj, por është një ide e shkëlqyer për të filluar herët”.

Megjithatë, vetëm titulli “miku më i mirë” nuk është garanci për një marrëdhënie cilësore, tregon “BBC”.

Sipas një studimi të vitit 2007, kur një miqësi e mirë përfshin diskutimin e tepërt të problemeve, mund të çojë në rritjen e simptomave të depresionit dhe ankthit.

Nga ana tjetër, për fëmijët që nuk e kanë gjetur ende atë mik të veçantë, ka ende shumë mundësi përpara.

Dallimet kulturore

Mirëpo, zgjedhja e një shoku më të mirë nuk shihet gjithmonë si modeli ideal.

Në disa kultura, shkruan “BBC”, njerëzit zgjedhin të kalojnë kohë me një grup më të gjerë, të përbërë nga familja dhe bashkëmoshatarët, në vend të vetëm një personi tjetër.

Në shumë shoqëri të vogla rurale anembanë botës, fëmijët ndjekin shkollën me kushërinjtë e tyre, i shohin ata si miqtë e tyre të ngushtë dhe nuk bëjnë dallime midis miqve dhe familjes së gjerë, ka treguar Evan Killick, pedagog i antropologjisë në Universitetin e Sussex-it.

Killick ka studiuar marrëdhëniet shoqërore të shoqërisë Ashaninka në pyllin tropikal të Amazonës. Në këtë komunitet, marrëdhëniet me anëtarët e familjes në përgjithësi i tejkalojnë miqësitë.

“Në shoqëritë urbane perëndimore, ideja për të pasur një mik të ngushtë është e rëndësishme sepse nuk i ke ato rrjete më të gjera farefisnore”, ka veçuar ai.

Madje, një tjetër studim i fundit mbi mënyrat se si rusët dhe kanadezët e shohin miqësinë, ka zbuluar se rusët e shohin miqësinë si një lidhje më intime, të rrënjosur në besim dhe afërsi. Kjo, në krahasim me kanadezët.

“Modeli rus është për miqësi më të pakta, por marrëdhënie shumë të thella dhe intensive”, ka dalluar Marina Doucerain, autorja kryesore e studimit.

Kurse modeli kanadez i kushton më shumë rëndësi respektimit të pavarësisë së njerëzve dhe më pak pritshmëri nga miqtë e ngushtë.

Ka edhe dallime të habitshme gjuhësore në mënyrën se si folësit rusë dhe ata anglezë i referohen miqësisë, sipas Doucerain.

Rusët përdorin vetëm termin mik për njerëzit me të cilët janë shumë të afërt dhe u referohen njerëzve me të cilët kënaqen të kalojnë kohë si shok.

Ndërsa në anglisht, fjala mik mund të përshkruajë “një gamë të gjerë marrëdhëniesh”, ka thënë autorja.

Por pas këtyre qëndrimeve të ndryshme mund të ketë edhe shpjegime me natyrë historike.

“Në Bashkimin Sovjetik, ishte jashtëzakonisht e rrezikshme të kishe marrëdhënie të ngushta, madje edhe mes familjeve. Zgjidhja ishte të kishe individë që mund t’u besoje plotësisht. Ky nocion i besimit është shumë qendror për miqësitë ruse”, ka theksuar Doucerain.

Paçka të gjithave, miqësia e mirë është me rëndësi për fëmijët. Diçka për të cilën ja vlen të këmbëngulësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore