Lajme

“Si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe – sot kam ende këto shenja në dorë”, Bogujevci në Parlamentin e KiE-së


Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci

“Si 13-vjeçare unë mbeta e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba. Sot kam ende këto shenja në dorë, e pjesët tjera të trupit tim”.

Kështu ka thënë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci në debatin e mbajtur në Parlamentin e Këshillit të Evropës për situatën në Kosovë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atëbotë ishte udhëhequr nga njerëzit që ende udhëheqin Serbinë tash”, shtoi ajo.

Bogujevci, e cila është e mbijetuara e masakrës së Podujevës në të cilën u vranë tetë anëtarë të familjes së saj, ka theksuar se 25 vjet pas luftës, Kosova ka qenë cak i një sulmi terrorist.

“Kurrë nuk ka pasur kërkim falje, nuk ka pasur asgjë të ndërmarrë për të sjellë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tash. Njerëzit që kryen sulm terrorist më 24 shtator janë në Serbi, e nuk po gjykohen”, potencoi Bugujevci.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Banjë ishte sulm terrorist, derisa ka theksuar se “Serbia i ka armatosur e përkrahur pjesëtarët e grupit paramilitar”.

Për Gashin, “prezenca e trupave ushtarake serbe në kufi me Kosovën ka potencial që ta përshkallëzojë situatën e të rrezikojë paqen në rajon”.

Çfarë ndodhi më 24 shtator?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake. Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore