Lajme

Shuhet mjeshtri i muzikaleve, Stephen Sondheim


Mjeshtri i muzikalit amerikan, Stephen Sondheim, ndërron jetë në moshën 91-vjeçare.

Ikja e tij, në shtëpinë e vet në Roxbury, Connecticut, të premten e 26 nëntorit është shoqëruar me homazhe në të gjithë industrinë e argëtimit, dallon agjencia e lajmeve “The Guardian”.

Kompozitori Andrew Lloyd Webber e ka quajtur atë “gjigantin e teatrit muzikor të kohës sonë, një frymëzim jo vetëm për dy, por për tre breza”.

Producenti Cameron Mackintosh ka thënë se “mjerisht, tani ka një gjigant në qiell. Por shkëlqimi i tij do të jetë ende këtu, teksa këngët dhe shfaqjet legjendare do të performohen përgjithmonë”.

Karriera e tij më shumë se 60-vjeçare është e mbushur me krijime të klasikëve të teatrit të Broadway-it, si West Side Story, Gypsy, Sweeney Todd dhe Into the Woods, të cilat të gjitha u bënë filma të famshëm.

Gjithashtu këngët e ndërlikuara dhe mahnitëse i shtynë kufijtë e formës së artit dhe artisti arriti të bënte kryevepra prekëse dhe argëtuese nga tema të paimagjinueshme.

Sondheim e ngriti statusin e muzikalit, i cili shpesh ishte konsideruar si argëtim familjar dhe pa aventurë, duke e përdorur atë për të eksploruar marrëdhëniet e të rriturve në të gjithë kompleksitetin e tyre.

Kompozimet e tij ishin edhe shumë aventureske, veçon “The Guardian”, prandaj artisti shkëlqeu edhe si kompozitor edhe si tekstshkrues.

Kështu, kur u vendos në Broadway, ai mori përgjegjësinë për muzikën dhe tekstin në shfaqjet e veta.

Sondheim lindi më 22 mars 1930 në New York. Prindërit, të cilët të dy punonin në industrinë e modës, u divorcuan kur ai ishte vetëm 10 vjeç.

Ai ndenji nën kujdesin e një prej tekstshkruesve më të mëdhenj, Oscar Hammerstein, me djalin e të cilit u miqësua në shkollën George në Newtown, Pennsylvania.

Muzikali i tij i parë, i shkruar kur ishte 15 vjeç, ishte një satirë e asaj shkolle, me titull “Nga George”.

Për të, Hammerstein i mësoi atij se në shkrimin e teksteve “e gjithë çështja është të nënshkruash jo të mbishkruash, sepse muzika është një art shumë i pasur”.

Kur Sondheim botoi grupin e tij të kujtimeve me dy vëllime, ai identifikoi tre parime që një shkrimtar lirik të dalë një “lirik i respektuar”.

Këto ishin “më pak është më shumë, përmbajtja dikton formën dhe Zoti është në detaje”, shkruan “The Guardian”.

Ai ishte 27 vjeç kur pati të parin shpërthim me “West Side Story” që zhvendosi Romeon dhe Zhulietën në rrugët e këqija të Upper West Side të New York-ut, konceptuar nga Jerome Robbins, me një libër nga Arthur Laurents dhe muzikë nga Leonard Bernstein.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore