Gjykata Speciale

Shtyhet gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së deri më 22 prill


Ish krerët të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të vazhdojë më 22 prill.

Seancat për dy javët e ardhshme janë anuluar në rastin e tyre, lajmin e kanë bërë të ditur Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes një komunikate për media.

“Gjykimi u shty, rifillon më 22 prill”, thuhet në njoftimi.

Ndërsa, gjatë kësaj jave dëshmitari i 54-të ka dëshmuar në seancë të mbyllur.

Ngjashëm, kishte ndodhur edhe të mërkurën.

Por, para mbylljes së seancës, të mërkurën avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, kërkoi leje nga trupi gjykues që një jurist i tyre i cili nuk ishte bashkëmbrojtës, të bëjë pyetje për dëshmitarin.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III u përgjigj se, “për ata nuk ka ndonjë pengesë dhe se juristi mund të bëjë pyetje”.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson të mërkurën kishte vazhduar intervistimin e ish-shefit të misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes, i cili dëshmoi për herë të pestë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore