Shqipëria

Shqiptarët nuk u japin përparësi pushimeve


Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) bëri publik në qershor të këtij viti edicionin 2021 të Barometrit Ballkanik, i cili është një sondazh vjetor i opinioneve të publikut dhe biznesit për vendet ballkanike.

Një nga temat e trajtuara nga RCC-ja ishte ajo e pushimeve.

Anketuesve u është bërë pyetja nëse familja e tyre është përballur me vështirësinë e realizimit të një jave pushimesh larg shtëpisë.

Pas përfundimit të sondazhit, rezultoi se 39 % e familjeve të të anketuarve në Shqipëri, nuk e përballojnë ekonomikisht një javë pushime.

Një mesatare më të lartë se Shqipëria do të kishte Mali i Zi, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Megjithatë, në krahasim me vitet e kaluara, Shqipëria ka pasur një përmirësim të dukshëm referuar realizimit të pushimeve njëjavore.

Gjatë vitit 2020, ishin 44% e të anketuarve, të cilët pranonin që nuk kishin mundësi për të zhvilluar pushime qoftë për një javë.

Kjo, krahasuar edhe me vitin 2019, ku shifra kapte nivelin e 46 %.

Si paraqitet situata e pushimeve në Shqipëri?

Sipas përditësimit të fundit të Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT), qytetarët shqiptarë nuk e kanë prioritet shpenzimin e buxhetit për “argëtime dhe kulturë”.

Më tej, INSTAT jep detaje se në shpenzimet e tyre mbizotërojnë ato për “ushqime dhe pije jo alkoolike”.

Mbështetur po te të dhënat e Institutit, numri i vizitorëve rezident nëpër struktura akomoduese në Shqipëri është rritur me 10.1% për periudhën janar-mars të vitit 2021.

Kjo do të thotë se shqiptarët zgjedhin të pushojnë me periudha afatgjate në vendin e tyre.

Albanian Post ka kontaktuar me disa nga operatorët, të cilët u ofrojnë qytetarëve shqiptarë udhëtime me guida.

Sipas tyre, numri i shqiptarëve, të cilët kanë rezervuar pushime në struktura akomoduese për këtë sezon veror, është rritur me gati 40% nga viti i kaluar.

Drejtuesi i një prej resorteve më të mëdha në Durrës, Fatos Cerenishti, në shpjegimin e tij për Albanian Post tregon të kundërtën.

Ai thotë se shqiptarët “preferojnë të pushojnë me periudha të shkurtra e të ndërprera”.

Si shembull, Cerenishti solli faktin që në resortin e tij “paketat gjithëpërfshirëse të ofruara preferohen vetëm nga të huajt”.

“Shqiptarët gjejnë si zgjedhje pushimet vajtje-ardhje ose shtëpi-pushimi”, thotë ai.

Për sa më sipër, referuar anketës së Barometrit Ballkanik, numri më i madh i të anketuarve, të cilët nuk janë të sigurt nëse do të shkojnë me pushime gjatë vitit 2021, janë serbët.

Fill pas tyre, renditen shqiptarët, me 84% të anketuarve, të cilët nuk ishin të sigurt se ku do të shkonin me pushime.

Shqiptarët, interes të ulët ndaj vizitave kulturore

Referuar anketës së RCC-së, shqiptarët shfaqin interes të ulët për vizitat në muze, site arkeologjike, pra ato kulturore.

“Vetëm një për qind e të anketuarve ka pranuar se do të kryejë një vizitë të tillë”, tregon sondazhi.

Megjithatë, në Shqipëri duket se mbizotëron trendy i pushimeve aventureske.

Pesë për qind e të anketuarve preferonin pushimet në natyrë dhe shpeshherë pa guida turistike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore