Lajme

Shqiptarët janë lojtarët kryesorë në tregun e kokainës në Evropë, thotë raporti i OKB


Në dekadën e fundit grupet shqipfolëse janë kthyer në lojtarët kryesorë në tregun e kokainës në Evropë.

Këtë e thotë as më pak e as më shumë po vetë zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin.

Në raportin e fundit për “rrjetin e kokainës” në vitin 2023 janë paraqitur lidhjet kryesore të transportit nga një kontinent në tjetrin, dhe shtetasit shqiptarë – siç tregohet – mbështeten në një gamë të gjerë bashkëpunëtorësh.

Këto të fundit, nisin që me vetë diasporën shqiptare e duke vijuar me grupet kryesore kriminale evropiane.

Madje, shqiptarët janë kthyer edhe në faktor për uljen e çmimit me shumicë të kokainës.

Arsyeja, tepër e thjeshtë.

“Futja e kokainës përmes porteve të Detit të Veriut ishte dikur e dobishme për trafikantët për të rritur sasinë e kokainës në Evropë. Më pas kemi një rënie të konsiderueshme të çmimit të shitjes me shumicë të kokainës në Holandë, duke filluar rreth vitit 2012 dhe kjo i atribuohet rolit të trafikantëve shqiptarë në blerjen e kokainës direkt në burimin e saj”, shkruhet në raport.

Për këtë arsye, autoritetet belge kanë konfirmuar se grupet shqiptare janë ndër ato të përfshirë në nxjerrjen e kokainës nga porti i Antwerp-it dhe zgjerimin e rolit të tyre në prokurimin e kokainës dhe zhvillimin e kontakteve në Amerikën e Jugut.

Nga Holanda, kokaina shpërndahet më tej në vende të tjera evropiane, dhe sërish shqiptarët duket se luajnë një rol të rëndësishëm, veçanërisht në trafikun drejt Italisë dhe Shqipërisë.

Zyra e Kombeve të Bashkuara thekson se destinacioni tjetër është Mbretëria e Bashkuar, ku aty shqiptarët sipas vlerësimeve ushtrojnë kontroll të konsiderueshëm në tregun e kokainës.

Kjo është konfirmuar edhe nga vetë Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në Britani, e cila një vit më parë shkruante se shqiptarët menaxhojnë pjesën më të madhe të tregut të kokainës në vend.

Me një total të frikshëm prej gjashtë miliardë paund-ësh.

Qytetarët shqiptarë në krye të peizazhit kriminal kanë arritur të vendosen edhe në Kolumbi, Ekuador, Peru dhe Panama.

Ata mund të blejnë kokainë me 4 mijë dollarë për kilogram në Amerikën e Jugut, më pas e shesin për 30 mijë euro sapo të arrijë në portet evropiane, të ndihmuar nga një rrjet i dendur zyrtarësh dhe operatorësh portualë të korruptuar në qendrat më të rëndësishme tregtare detare.

Rruga – sipas raportit – për transportin nga Amerika e Jugut është dërgesa me kontejnerë të frutave të freskëta, një metodë tipike e fshehjes së kokainës që mbërrin në portet detare të Ballkanit (mjafton të kujtojnë rastet e gjetura në kontejnerët me banane në Portin e Durrësit).

Kokainë në kontejnerë frutash – sërish – në Shqipëri

Pasojat e luftës mes bandave

Kur bëhet fjalë për sasi kaq të mëdha kokaine dhe përfitimesh, lind edhe konkurrenca mes grupeve kriminale, dhe kjo sipas raportit shihet kryesisht te bandat ballkanike.

“Që nga viti 2025 bandat kanë kryer vrasje të synuara në Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri”.

Jo vetëm kaq.

Këto konflikte janë përhapur në disa vende të BE-së, me vrasje të izoluara të raportuara në Austri, Gjermani, Greqi, Holandë dhe Spanjë.

Megjithatë, vlerësohet se grupet kriminale ballkanike përdorin dhunë selektive, në vend që ta përdorin atë në mënyrë pa dallim.

Si rast konkret në raport përmendet ekzekutimi i një gangsteri të njohur shqiptar, i cili u qëllua për vdekje nga vrasës në Antwerp të Belgjikës në një vrasje të dukshme me porosi.

Bëhet fjalë për vrasjen e Bledar Muçës që ishte krahu i djathtë i Ardian dhe Florenc Çapjas në Elbasan.

I shpëtoi atentatit në vitin 2016, Bledar Muça ekzekutohet në Belgjikë

Ndërsa grupet shqiptare janë shumë aktive në marrjen e ngarkesave të kokainës në të gjithë Evropën Perëndimore, veçanërisht në portet e Belgjikës dhe Holandës, disa sasie kokaine mbërrin edhe në portin kryesor të Shqipërisë të Durrësit.

“Konfiskimet e kokainës në Shqipëri janë rritur ndjeshëm që nga viti 2018, të nxitura nga kapjet e mëdha individuale në port”, shkruhet në raport (613 kg në 2018 dhe 137 kg në 2019).

Aty theksohet se nxitja ka ardhur edhe si rezultat i bashkëpunimit mes policisë shqiptare, kosovare dhe italiane.

Siç raportohet në burime të hapura, një konfiskim në maj 2021 i 400 kg kokainë nga policia në Kosovë, në një ngarkesë mishi nga Brazili, tregon lidhjen mes trafikantëve ballkanikë dhe italianë, pasi ngarkesa kishte mbërritur nga porti i Gioias.

Zbatimi i ligjit shqiptar vuri në dukje gjithashtu një modalitet të ri trafikimi: kokaina mund të fshihet në automjete të tonazhit të rëndë dhe të dërgohet nga Italia në Shqipëri me traget, me synimin për të vazhduar drejt vendeve të tjera të BE-së nëpërmjet Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Nga vendet ballkanike e njëjta situatë duket se paraqitet në Mal të Zi.

Autoritetet malazeze vlerësuan se, ndërmjet 2017 dhe 2021, policia sekuestroi mbi 30 ton kokainë në mbarë botën në rastet kur ishin përfshirë kriminelë nga Mali i Zi.

Autoritetet malazeze gjithashtu identifikuan grupet Skaljari dhe Kavac si grupe të fuqishme dhe me rrezik të lartë të krimit të organizuar në vend.

Tregjet më pak të eksploruara nga të tjerët, por jo shqiptarët

Tregjet më pak të eksploruara të kokainës në Evropën Lindore janë furnizuar kryesisht nga grupe kriminale shqiptare dhe serbe.

Në veçanti, grupet kriminale serbe duket se kanë qenë prej kohësh aktive në trafikimin e kokainës nga Ekuadori në Ballkan, por edhe në shtetet baltike dhe në Federatën Ruse.

Shqiptarët, nga ana tjetër, bashkëpunojnë ngushtë me aktorë me bazë lituaneze për trafikimin e kokainës në Federatën Ruse nëpërmjet shteteve baltike.

Sipas një eksperti ndërkombëtar, të cituar nga raporti – ekzistojnë dy rryma drejt lindjes nga Evropa Perëndimore dhe Qendrore në Federatën Ruse, të cilat karakterizohen nga prania e një grupi të ndryshëm aktorësh që hyjnë në aleanca oportuniste.

Gjetjet e raportit janë të bazuara në deklarata nga agjencitë më prestigjioze të zbatimit të ligjit në botë.

Si u fuqizua mafia shqiptare në tregun e kokainës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore