Shqipëria

Peter Tase për AP-në: Shqipëria ura lidhëse e gazit azer për në Evropë dhe një partnere e rëndësishme strategjike


Në kuadrin e gati një muaji, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev zhvilluan dy vizita të rëndësishme.

Mes ndryshimeve gjeopolitike së fundmi takimi i Ramës dhe Aliyev-it kokë më kokë në pallatin Presidencial në Azerbajxhan është parë si një kthesë strategjike në historinë diplomatike të të dyjave vendeve.

Të paktën kështu e ka komentuar studiuesi i çështjeve ndërkombëtare dhe autori i shumë librave për Azerbajxhanin Peter Tase.

Ai në një prononcim për Albanian Post shprehet se Rama ka treguar aftësi në formësimin dhe drejtimin e vyer të politikës së jashtme të Shqipërisë.

“Edi Rama, gjatë këtyre nëntë viteve të fundit, është munduar të forcojë marrëdhëniet strategjike me Azerbajxhanin dhe Turqinë”.

E, për studiuesin të dyja këto vende kanë lidhje kulturore, etnografike, ngjashmëri historike dhe prirje diplomatike të ngjashme me Republikën e Shqipërisë.

Sipas tij, vizita e kryeministrit në Baku është lëvizja më e rëndësishme gjeopolitike që një autoritet i lartë shtetëror në Tiranë ka bërë.

Rëndësia e takimit merr edhe një dimension të veçantë pasi gazi azer po kthehet në një faktor tepër strategjik jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Evropën, duke parë edhe agresionin e Rusisë në Ukrainë, i cili ka shkaktuar vendosjen e sanksioneve të shumta ndaj Moskës.

Për këtë Tase është i mendimit se eksportet e gazit natyror nga Azerbajxhani në Evropë do të pësojnë rritje të ndjeshme, falë marrëdhënieve të ngushta që ekzistojnë mes vendeve.

“Komunikimi i rregullt i Ramës me Aliyev, si dhe vullneti i qeverisë së Azerbajxhanit për të rritur bashkëpunimin tregtar, dhe zhvillimin e eksportit të gazit natyror dhe naftës drejt Adriatikut, janë disa shtylla kryesore që do të sjellin të mira materiale për të dy popujt dhe shtetet”.

Kjo pasi, çdo veprim apo vendim i marrë është i lidhur drejtpërdrejt me pozicionin gjeografik dhe në këtë kontekst Azerbajxhani dhe Shqipëria luajnë një rol të pazëvendësueshëm ne furnizimin me gaz të Evropës Qendrore dhe asaj Jugore.

“Falë pozicionit të favorshëm, Shqipëria do të shërbej edhe si urë lidhëse mes Baku-së dhe Evropës për të bërë të mundur transportin e gazit në territorin e BE-së”.

Në këtë formë rritja e kapaciteteve eksportuese te gazit natyror nga Azerbajxhan drejt Shqipërisë do te mundësoj edhe konsumin e gazit ne tregun vendas dhe atë rajonal – pas krijimit të infrastrukturës së duhur.

“Do të ishte kryevepër nëse eksperienca dhe teknologjia e Azerbajxhanit në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës, do të shfrytëzohej më tej nga Qeveria Shqiptare në mënyrë që të dyja palët te përfitojnë”.

Kur flasim për përfitim dhe Baku-ja zyrtare ka një interes të veçantë për Tiranën.

Pas hapjes së ambasadës azere këtu, në krye të saj është vendosur ambasadori Anar Huseynov një diplomat shumë i aftë në diplomacinë ekonomike, e për Tasen kjo do të bëjë të mundur forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik midis të dy shteteve.

“Në të njëjtën kohë, Tirana po luan një rol kyç në zbutjen e fërkimeve dhe diskursit të hidhur që po nga lider të Evropës perëndimore kundrejt vendeve si Azerbajxhan dhe Turqia”.

Eksperti rendit se interesi i Azerbajxhanit përpos forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe politike, shtrihet edhe diku tjetër.

Pasi Shqipëria është shndërruar – gjatë lidershipit Rama – në një vend strategjik për Evropën dhe aktor shumë aktiv në organizatat shumë paleshe.

Tase thotë se në këtë suazë, Tirana mund te ngrejë zërin akoma më larg në mbrojtje të sovranitetit të plotë territorial dhe të popullit “shumë të vuajtur të Azerbajxhanit”.

Kjo është e mundur pasi Tirana zyrtare e ka treguar veten në shumë raste.

Studiuesi sjell ngjarjen e fundit të ndodhur në Shqipëri, mbajtjen për herë të parë të një samiti evropian jashtë kufijve të tij.

“Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor i mbajtur në Tiranë është arritja më e madhe që kombi shqiptar ka shënuar në historinë e tij, që prej kohës së Konstandinit të Madh (306 – 337) dhe meritat e kësaj arritje madhore te Diplomacisë Shqiptare, dhe për lojën e zhdërvjellët gjeopolitike të Tiranës zyrtare, i shkojnë posaçërisht Kryeministrit Edi Rama”.

Për të, Shqipëria ka një potencial të madh për të zbatuar projektet e suksesshme të turizmit dhe resorteve alpine me pesë yje që qeveria e Aliyev ka miratuar gjatë dekadës së fundit në të gjithë territorin e Azerbajxhanit.

Ai vuri në dukej infrastrukturën e mirë dhe teknologjinë e gjelbërt të përdorur në Aeroportet Ndërkombëtare Fuzuli, Zangilan dhe te ai Vlorës.

“Guri i parë i themelit u hodh, tanimë mbetet për t’u parë zhvillimet e mëtejshme dhe rritja e këtij bashkëpunimi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore