Shqipëria

Shqipëria, thesar i bimëve medicinale


“Me një natyrë të jashtëzakonshme, interesante dhe domethënëse për biodiversitetin e Evropës, Shqipëria zë një vend kryesor sa u përket bimëve mjekësore dhe aromatike”.

Kështu e përshkruan Endrit Kullaj, Prof. Dr. në Universitetin e Bujqësisë dhe Mjedisit në Tiranë, natyrën shqiptare.

Më tej, për Albanian Post, ai bën me dije se, Shqipëria është një vend “i bekuar”, me një shumëllojshmëri bimësh medicinale.

Madje, thotë profesori, “vendi ynë është një prej burimeve furnizuese tashmë i njohur në tregun evropian. 15% e 3250 specieve të saj kanë vlerë mjekësore, aromatike, si erëza apo për tanina”.

“Numri i bimëve shkon afro në 690 specie të ndryshme”, shton ai.

Po ashtu, ai shpjegon se janë një sërë vendesh në Shqipëri, ku ka bimë me vlera mjekësore, një shumëllojshmëri bimësh medicinale.

Më herët, në një artikull të publikuar nga BBC Travel, në “50 Arsyet për ta Dashur Botën në 2021”, gjendet dhe një arsye për të “dashur” malësinë e veriut të Shqipërisë, lulet medicinale.

Veçantia e bimëve në Shqipëri

Profesori Kullaj thekson se numri i specieve të florës sonë është më i madh nga sa janë regjistruar deri më tani.

“Mendoj se duhet të ketë më shumë se 4 mijë e 500 lloje bimore”.

Më tej, ai zbulon se së bashku me një grup studiuesish kanë dërguar disa bimë nga Shqipëria në një ndër universitetet më të njohura në botë në analizën e bimëve medicinale, “Food Science and Nutrition”.

“Universiteti amerikan është befasuar nga përbërja e bimëve që rriten në vendin tonë”, shprehet Kullaj.

Megjithëse nuk pranon të japë detaje, sipas tij, do të kemi surpriza në vijim.

Shumëllojshmëria e bimëve

Rreth 40 lloje bimësh kanë rëndësi foragjere, ndërsa afro 35 lloje bimësh kanë veti regjëse apo ngjyruese.

Numri i bimëve mjaltëse, të njohura deri më sot, arrin në afro 50 lloje, ndërsa numri i bimëve që përdoren si ushqim në afro 70 lloje.

Nga studimet e Kullajt dhe studiueseve të tjerë në Shqipëri këto janë disa nga bimët me efekte mbresëlënëse në organizmin e njeriut.

“Aloe vera” është cilësuar si një bimë çudibërëse, e cila rritet në vendin tonë dhe përdoret për rrudha dhe dhimbjen e kockave.

Molla e artë përmban kripa minerale dhe vitamina të shumta. Çaji bimor i përzier ka një efekt mbresëlënës sa i përket mëlçisë.

Çikorja e egër, bima magjike shumë e përhapur në Shqipëri, që bën mrekullinë për zemrën dhe stomakun.

Çikorja është nga bimët e egra më të dashura për konsumatorët.

Kjo bimë, e cila rritet kudo dhe çel lule të bukura ngjyrë bojë qielli në lejla të çelët ka gjetur kryesisht përdorim të gjerë në kuzhinat shqiptare.

Bima ka aftësi të çmuara për të parandaluar urthin, parandaluar infeksionet nga bakteret, fuqizuar sistemin imunitar dhe ulur shanset e sëmundjeve të zemrës.

Boronica e maleve është cilësuar si një kurë ideale kundër infeksioneve në organizëm. Xhirokulli ka veti terapeutike dhe përdoret në shumë medikamente e në mjekësinë popullore.

Lulebasani – apo ndryshe lule maji – është një barishte shumëvjeçare me lartësi deri në 1 m.

Ajo përdoret si nga mjekësia për kurimin e shumë sëmundjeve. Duke filluar që nga stomaku deri te sistemi nervor.

Burim të ardhurash

Ndër të tjera, Kullaj thotë se bimët mjekësore dhe aromatike janë një burim i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë. Ata grumbullohen dhe tregtohen të thara dhe të presuara si esenca.

Pjesa dërrmuese eksportohet për përdorim në segmentet e ndryshme të industrisë së produkteve natyrore, përfshi erëzat e gatimit, likeret, produktet kozmetike, mjekësinë popullore, shtesave dietike dhe farmaceutike.

Për këtë shkruan edhe e përditshmja “France 24”.

“Shqipëria ka qenë një nga prodhuesit kryesorë në Evropë të bimëve medicinale, kryesisht bimëve të egra.

Rreth 95% eksportohen në Shtetet e Bashkuara (SHBA), Australi, Zelandë të Re, Francë, Gjermani ose Itali”, shkruan “France 24”.

Po ashtu edhe në studim të fundit të publikuar në “Eu Policy” , thuhet “në Shqipëri, gjenden  7 mijë e 233 lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32% të të gjithë florës së Evropës”.

Aromatiket apo medicinalet janë përdorur gjerësisht nga mjekësia popullore ndër shekuj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore