Shqipëria

Shqipëria, pjesë e ‘redaksisë evropiane’ të mbështetur nga BE-ja


Në Evropë, 16 agjenci të lajmeve kanë vendosur të bashkojnë forcat për të krijuar një “redaksi evropiane” për të punuar së bashku mbi çështjet që lidhen me bllokun.

Kështu ka njoftuar Komisioni Evropian të hënën e 29 nëntorit, duke shtuar gjithashtu se kjo ndërmarrje do të realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Me to është bashkuar edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATA).

“Shumica e këtyre agjencive do të takohen në një vend të përbashkët ku mund të diskutojnë të gjitha çështjet evropiane, së bashku të kërkojnë intervista dhe të publikojnë disa nga këto prodhime në një faqe të dedikuar”, ka thënë një nga burimet e “AFP”-së që është pjesë e projektit.

Gjithashtu ka shtuar se “pjesëmarrësit e konsorciumit do të jenë në gjendje edhe të përfitojnë nga trajnimi, veçanërisht për çështjet digjitale dhe verifikimin e të dhënave”.

Ndërkaq, udhëheqësja e projektit, agjencia gjermane e lajmeve “DPA” ka zbuluar se do të marrë mbështetje prej 1.76 milionë eurosh.

Në projekt, përveç “DPA”-së dhe “AFP”-së, merr pjesë edhe agjencia italiane “Ansa” dhe ajo spanjolle, “EFE”.

Të tjerat janë “Agerpres” e Rumanisë, “APA” e Austrisë, Belgian e Belgjikës, “BTA” e Bullgarisë, “Europapress” e Spanjës, “FENA” e Bosnjës, “HINA” e Kroacisë, “MPB” e Maqedonisë së Veriut, “STA” e Sllovenisë, “Tanjug” e Serbisë dhe “TASR” e Sllovakisë.

Komisioni Evropian ka dalluar se “kërkimi për këtë redaksi evropiane është duke u zhvilluar dhe duhet të jetë funksional deri në mesin e vitit 2022”.

Kurse Thierry Breton, komisioneri evropian për Tregun e Brendshëm, ka thënë se me planin “po forcojmë hapësirën informative të Evropës dhe po rrisim qasjen e qytetarëve në informacion cilësor”.

Sipas Breton, komisioni do të paraqesë një ligj në vitin 2022 për të mbrojtur pavarësinë e medias, në mënyrë që të “garantojë pluralizmin, integritetin dhe pavarësinë e tregut evropian të medias kundër të gjitha llojeve të ndërhyrjeve të pajustifikuara”.

“Këto kërcënime mund të marrin forma të ndryshme, si ndërhyrja e qeverisë, politizimi i mediave publike ose një përqendrim i lartë i kapitalit mediatik në duart e një grushti pronarësh”, ka shtuar ai.

Për të, këto çështje janë me rëndësi, pasi mund të paraqesin probleme të pavarësisë editoriale “sidomos kur pronarët apo anëtarët e bordit drejtues veprojnë në sektorë të ndryshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore