Shqipëria

Shqipëria, ndër vendet që po bëjnë më shumë për ndotjen e ajrit dhe klimën


Prej një studimi të ri rezulton se vendet e G20-s po dështojnë të integrojnë ndotjen e ajrit në planet e tyre klimatike.

Kur flitet për rreziqet e lëndëve djegëse fosile, prirja është të mendohen pasojat klimatike në një shkallë të madhe nga zjarret deri te përmbytjet.

Por ka një mënyrë më tinëzare që djegia e qymyrit, naftës dhe gazit na dëmton: ndotja e ajrit.

“Ndotja e ajrit qëndron në lidhjen e shëndetit publik dhe ndryshimeve klimatike, megjithatë shumë vende ende nuk po arrijnë të korrin përfitimet shëndetësore të ajrit të pastër dhe veprimit klimatik”, ka thënë Nina Renshaw, drejtuese e shëndetësisë në Fondin e Ajrit të Pastër.

“Kjo do të thotë se ata po humbasin cilësinë më të mirë të ajrit, gjë që do të reduktonte në mënyrë dramatike numrin e njerëzve që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, goditjet në tru, kanceri i mushkërive dhe astma”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, këto kushte shkaktohen ose përkeqësohen nga ndotja e ajrit.

Aleanca Globale e Klimës dhe Shëndetit (GCHA) ka ekzaminuar sakaq se cilat vende përfshijnë cilësinë e ajrit në planet e tyre kombëtare të klimës.

Duke parë kontributet e përcaktuara në nivel kombëtar (NDC) të 170 vendeve ka prodhuar një kartë rezultatesh zbuluese për ajrin e pastër.

Shqipëria dhe Moldavia renditen në Evropë për cilësinë më të lartë të ajrit

Shqipëria përmend ndikimin e cilësisë së dobët të ajrit në kushtet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, veçanërisht në Tiranë dhe qytete të tjera.

NDC-të e saj i referohen shtyllave të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të cilat përfshijnë veprimin ndaj klimës së bashku me luftën kundër ndotjes së ajrit.

Teksa masat specifike sektoriale përmenden edhe për bujqësinë dhe mbetjet.

Por vendet e tjera evropiane, përfshirë Bashkimin Evropian mund të gjenden më poshtë në renditje.

Megjithëse BE-ja përfshin disa ndotës të ajrit në angazhimet e saj, ajo nuk arrin të bëjë të qartë lidhjen midis ndotjes së ajrit, shëndetit dhe veprimit klimatik.

Për këtë arsye, bie prapa vendeve me rezultate më të larta të G20-s si Kanadaja dhe Kina.

“Clean Air NDC Scorecard konfirmon koston njerëzore të vonimit të largimit të pashmangshëm të karburanteve fosile”, ka thënë Jess Beagley, drejtuese e politikave në GCHA.

“Si ndotës të mëdhenj globalë, është thelbësore që vendet e G20-s të përfshijnë konsideratat e cilësisë së ajrit në NDC-të e tyre, megjithatë asnjë qeveri e G20-s nuk shënon as gjysmë notash – tregues i mungesës së njohjes së lidhjeve midis klimës dhe cilësisë së ajrit, apo ambicies për të ndërmarrë veprime”, ka shtuar.

Aktivistët kërkojnë veprim në COP28

Me 99 për qind të popullsisë së botës që thith ajër që tejkalon kufijtë e sigurt të udhëzimeve të OBSH-së, është e qartë se nevojitet veprim më i madh për ajrin e pastër.

Aktivistët e shohin COP28 si kohën e përsosur për të trajtuar këtë çështje.

“Këtë dhjetor, presidenti i COP28 ka mundësinë të vendosë ndotjen e ajrit fort në rendin e ditës dhe të katalizojë angazhimet kombëtare dhe financimin ndërkombëtar për të përmirësuar cilësinë e ajrit”, ka thënë Jeni Miller, drejtore ekzekutive e Aleancës Globale për Klimën dhe Shëndetin.

Aktivistët duan të shohin angazhimet për cilësinë e ajrit të ndërthurura në shtyllat kryesore të negociatave.

“Një ndalesë e plotë për djegien e lëndëve djegëse fosile është thelbësore për të zhbllokuar përfitimet e mëdha të përbashkëta të ajrit të pastër”, ka shtuar Beagley.

Ajo po ashtu ka ravijëzuar se teknologjitë spekulative të kapjes së karbonit nuk do të ndihmojnë shëndetin e njerëzve.

Marrë nga “Euronews”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore