Shqipëria

“Shqipëria e gjelbër”, jehonë edhe në mediat e huaja


Mediat e huaja i kanë bërë jehonë lajmit për ngritjen e parqeve eolike në Shqipëri.

Sipas Associated Press, Shqipëria në këtë mënyrë po përpiqet të diversifikojë prodhimin e saj të energjisë. Në artikuj është cekur gjithashtu fakti se vendi ka nisur projektet edhe për energjinë diellore.

Abc News ka shkruar se, “Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim po ndihmon qeverinë e Tiranës në futjen në proceset konkurruese të prokurimit për projektet e energjisë së rinovueshme”.

Ankandi për ngritjen e parqeve eolike, nëpërmjet të cilave Shqipërisë do t’i jepet një mundësi më shumë për prodhimin e energjisë, duke shfrytëzuar një tjetër burim, siç është era, u hap të hënën e 21 qershorit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije se “shumë kompanive, do t’u jepet mundësia të ndërtojnë parqet që prodhojnë energji të rinovueshme të erës”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më herët, ka deklaruar se Shqipëria do të transformohet në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportuese të një energjie të gjelbër të rinovueshme.

“Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt horizontit të ‘Shqipërisë 2030’ në përmbushjen për ta kthyer Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportuese të një energjie të gjelbër të rinovueshme”, tha ai, gjatë ceremonisë së hapjes së ankandit për ngritjen e parqeve eolike.

Ky ka qenë një nga premtimet e kryeministrit gjatë fushatës zgjedhore të 2021-shit.

Po ashtu, Rama ka falënderuar dhe mbështetësit e këtij ankandi, ku sipas tij, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është mbështetëse konstantë e Shqipërisë, ndërsa në këtë projekt i është bashkuar dhe qeveria zvicerane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore