Shqipëria

Shqipëria dhe Greqia ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen e rajonit, thotë Xhaçka


Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi se Shqipëria dhe Greqia ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen e rajonit.

Lajmi u bë i ditur pas takimit të kryediplomates shqiptare me homologun e saj Nikos Dendias në Athinë.

“Kënaqësi të takoja homologun tim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias”, shkruan fillimisht zyrtarja shqiptare.

Xhaçka zbuloi se palët patën një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi.

Sakaq, ajo shprehu mirënjohjen për homologun e saj lidhur me thellimin dhe zgjerimin e partneritetit midis dy vendeve dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ndamë të njëjtin vizion dhe dëshirë për të ardhmen e marrëdhënieve tona dhe të rajonit në tërësi dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë së bashku në gjetjen e mënyrave të reja për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit tonë dhe të rajonit”, garantoi ministrja shqiptare.

Për takimin diplomatik, ka reaguar dhe Dendias duke zbuluar agjendën e bisedimeve në takim.

“I urova mirëseardhjen homologes shqiptare Olta Xhaçka. Rritja e marrëdhënieve Greqi-Shqipëri, perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor në axhendën e takimit”, shkruan ministri i Jashtëm grek.

Gjatë takimit ministrat u ndalën edhe diskutuan ne parim çështjet që kanë të bëjnë me gjetjen e zgjidhjeve te nevojshme përfshirë ligjin e luftës, marrëveshjet kufitare mes dy vendeve, referimin në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë të çështjes së kufizimit të zonave detare, duke shprehur përkushtimin për të ecur përpara drejt zgjidhjeve me përfitim reciprok.

Të premten pasdite kryediplomatja do të udhëtojë drejt Italisë për të qenë pjesë e Dialogut të Dytë Mesdhetar për krizën ushqimore.

Zyrtarja shqiptare është ftuar në këtë takim nga zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore