Shqipëria

“Shqipëri-Kosovë, deklaratë absolutisht e papranueshme”


Poshtë-majtas zëdhënësja ruse e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, në qendër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti

Me një qëndrim zyrtar, Ministria e Jashtme ruse, deklaroi përmes zëdhënëses, Maria Zakharova, se e konsideron “absolutisht” të papranueshme deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për bashkimin me Kosovën.

“Ne e konsiderojmë deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama mbi bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës si absolutisht të papranueshme. Promovimi i planeve të krijimit të Shqipërisë së Madhe bie ndesh me ashpër me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe minon stabilitetin në rajon”, tha Zakharova.

Për zëdhënësen ruse, “qëllimi kryesor i karrierës politike të udhëheqësit të një shteti në rajonin e Ballkanit”, shkel një dokument që është themelor për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Zëdhënësja ruse e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova

“Raste të tilla të dëmshme absolutisht nuk i përshtaten kontekstit të përpjekjeve bashkëpunuese të Beogradit dhe Tiranës për krijimin e një tregu të përbashkët, të ndërmarrë prej tyre në kontekstin e nismës rajonale të Ballkanit të Hapur, të përbashkët me Shkupin”, shtoi Zakharova.

“Ne presim me ngut një përgjigje të përshtatshme të Perëndimit ndaj këtij provokimi të pacipë”, lexohet në përmbyllje të deklaratës.

Deklarata e Ramës

I ftuar në një nga emisionet e mbrëmjes, kryeministri Rama, u pyet në lidhje me udhëheqjen e një presidence të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi më 8 tetor se “lidershipi” nuk ishte në planet e tij, por bashkimi i Kosovës me Shqipërinë – po.

Në lidhje me akuzën e Zakharova-s, kryeministri, fill pas kësaj deklarate ravijëzon se ky nuk është një qëllim personal – referuar bashkimit – por aspiratë.

“Tjetër është një projekt personal, tjetër është që personi të jetë në funksion të një aspirate më të madhe”, theksonte Rama.

“Provokuese” dhe “të papranueshme”

Në prill të vitit 2015 zëdhënësja asokohe e BE-së, Maja Koçjiançiç, i përshkruante deklaratat e Ramës dhe Thaçit si “provokuese” dhe “të papranueshme”.

“Angazhimet përfshijnë gjithashtu bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore; çdo deklaratë provokuese në këtë kontekst nuk është e pranueshme”, deklaronte zëdhënësja.

Rama shprehej se integrimi i Kosovës në BE po ecën shumë ngadalë.

“Bashkimi i shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, shqiptarë që jetojnë në dy vende shqiptare, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është se si do të ndodhë”, nënvizonte kryeministri shqiptar.

Në postin e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mori pjesë në intervistë, shtoi se Rama po i referohej një “realiteti që mund të bëhet konkret në të ardhmen dhe mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës nga BE”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore