Shqipëria

Shqipëri: Abuzuan me detyrën, arrestohen dy funksionarë të policisë


Prokuroria e Posaçme (SPAK), të enjten e 2 dhjetorit, ka caktuar masën “arrest me burg” për dy funksionarë të policisë.

Përkatësisht i arrestuar është shtetasi D. L. – me detyrë inspektor në Njësinë e Autostradave në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor – pasi ka ofruar një vlerë monetare në shumën 4 mijë euro për të marrë gradën “Nënkomisar” në Akademinë e Sigurisë Tiranë.

Ky shtetas ka përdorur dokumente të falsifikuara në procesin e provimit. Ndërsa Q. G., – me detyrë kryekomisar dhe lektor në Fakultetin e Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë – u arrestua pasi dyshohet se ka pranuar përfitim të parregullt për të ushtruar ndikim të paligjshëm te punonjës shtetërorë për të favorizuar shtetasin D. L. në lidhje me provimin dhe marrjen e titullit.

Hetimi është kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave Tiranë.

Kjo e fundit ka ekzekutuar vendimin e SPAK-ut, duke i arrestuar shtetasit e lartpërmendurit.

Shtetasi D.L., për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim i dokumenteve”. Ndërsa Q.G., për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore