Lajme

Shpërthimi i autokolonës në Burkina Faso lë 35 civilë të vrarë dhe 37 të plagosur


Janë lënë të vrarë 35 civilë dhe 37 janë plagosur teksa autokolona që transportonte furnizime në veriun e goditur nga xhihadistët në Burkina Faso goditi një mjet shpërthyes të improvizuar.

Incidenti ndodhi kur kolona e udhëhequr nga ushtria po furnizonte qytetet në veriun e trazuar në një rrugë midis Bourzanga-s në Djibo.

Kështu ka bërë me dije guvernatori i rajonit të Sahel-it, Rodolphe Sorgo.

Shteti afrikan pa dalje në det është nën kontrollin e një kryengritjeje shtatëvjeçare që ka marrë më shumë se dy mijë jetë dhe ka detyruar 1.9 milionë njerëz të lënë shtëpitë e tyre.

“Një nga automjetet që transportonte civilë goditi një mjet shpërthyes të improvizuar. Numri i përkohshëm është 35 të vdekur dhe 37 të plagosur, të gjithë civilë”, thuhet në njoftim.

Sipas deklaratës së guvernatorit, eskortat siguruan shpejt perimetrin dhe morën masa për të ndihmuar viktimat. Ndërkohë, autokolona ishte nisur nga veriu për në kryeqytetin e Burkina Faso-s, Ouagadougou.

Një banor i Djibo-s ka treguar se u goditën “disa dhjetëra automjete, duke përfshirë kamionë dhe autobusë të transportit publik”.

“Viktimat janë kryesisht tregtarë që do të blinin furnizime në Ouagadougou dhe studentë që po ktheheshin në kryeqytet për vitin e ardhshëm shkollor”, ka shtuar ai.

Kohët e fundit, grupet xhihadiste kanë organizuar sulme të ngjashme në rrugët arteriale që çojnë në qytetet kryesore në veri.

Pjesa më e madhe e luftimeve është përqendruar në veri dhe lindje, të udhëhequra nga xhihadistët që dyshohet se kanë lidhje me alQaida-n ose grupin e Shtetit Islamik.

Me më shumë se 40 për qind të vendit jashtë kontrollit të qeverisë, junta qeverisëse e Burkina-s që mori pushtetin në janar, e ka shpallur luftën kundër kryengritjes prioritet.

Në një fjalim drejtuar kombit nga qyteti i Dori-t, shefi i juntës, nënkoloneli Paul-Henri Sandaogo Damiba, mirëpriti një “qetësi relative” në disa lokalitete.

Sipas Damiba-s, ky proces u ka mundësuar “disa dhjetëra të rinjve” të dorëzojnë armët.

Megjithatë, ka pasur sulme të shumta që nga fillimi i vitit, si masakra e qershorit në departamentin veriperëndimor të Seytenga, kur u vranë 86 civilë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore