Lajme

Shkup: MPB shpallë konkurs për pranimin e 600 policëve, nuk dihet numri i garantuar për shqiptarët


Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka hapur konkurs për pranimin e 600 zyrtarëve të rinj policorë.

Por në këtë njoftim publik, institucioni nuk bën të ditur se sa është numri i caktuar për shqiptarë.

Në përgjigjen e MPB-së dhënë për Alsat, thuhet se gjatë punësimit duhet të ketë policë nga të gjitha etnitë, pa përcaktuar nëse përqindjet për shqiptarë janë ndarë, janë rritur ose zvogëluar falë përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

“Gjatë punësimit në polici duhet të përfaqësohen në mënyrë adekuate qytetarë nga të gjitha përkatësitë etnike të cilët plotësojnë kriteret profesionale dhe kompetencat e parapara”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Sektorët në të cilat do të punësohen këta zyrtarë të rinj policorë janë të shumtë, pothuajse në të gjithë sektorët. Ndërsa, numri më i madh i tyre është paraparë të vendoset në Shkup, Tetovë dhe në Shtip.

Gjithashtu do të punësohen 170 policë në katër Qendrat rajonale për çështje kufitare në veri, perëndim, jug dhe lindje.

Pas ndryshimeve, ligjore në këtë konkurs është përfshirë edhe kushti që kandidatët të mos jenë anëtarë të ndonjë partie politike dhe të mos ketë post në organet partiake.

Sektori për Punë të Brendshme Shkup 100

Sektori për Punë të Brendshme Strumicë 40

Sektori për Punë të Brendshme Ohër 40

Sektori për Punë të Brendshme Manastir 40

Sektori për Punë të Brendshme Tetovë 60

Sektori për Punë të Brendshme Veles 40

Sektori për Punë të Brendshme Shtip 70

Sektori për Punë të Brendshme Kumanovë 40

Ndërkohë Ministria e Brendshme nuk ka folur për konkursin e brendshëm për pjesëtarë në njësinë speciale të anti-terrorit “Tigrat”.

Në muajin prill kanë përfunduar filtrat përzgjedhëse, ndërsa akoma nuk dihet nëse në këtë njësit për herë të parë që nga formimi do të ketë edhe pjesëtarë shqiptarë ose jo.

Paraprakisht zyrtarë të MPB-së kishin deklaruar se tek “Tigrat” dera do të jetë e hapur për të gjitha atë që plotësojnë standardet profesionale, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore