Shqipëria

Shkoi edhe një vit për Gërdecin


Duket si një përjetësi, por viti ka qenë 2008.

Këtë herë koha shoqërohet nga vetmia mediatike. Asnjë fjalë, asnjë rresht, nga askush.

As për 26 të vdekurit që shkaktoi. Aq më pak për qindra të plagosurit!

Mesdita e 15 marsit 2008 – 14 vjet më parë – u shënjua nga një oshëtimë që shkundi gjithë Shqipërinë e më tutje, pasi një fabrikë tërësisht e panjohur deri në atë çast, ku demontoheshin armë të kalibrit të rëndë, shpërtheu masivisht.

Kërpudha e stërmadhe e tymit pushtoi qiellin e Gërdecit dhe mbuloi me hije ndërtesat e një pjese të mirë të Tiranës (duke parë afërsinë me kryeqytetin).

Akoma më shumë u ndje në Vorë, për shkak të afërsisë së dy zonave. Por edhe pse larg, u ndje edhe përtej kufijve.

Edhe pse në shtator 2021 dhe në muajt pasues, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të rihapte çështjen e ish-ministrit të Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediut, deri  më sot nuk ka asnjë të dënuar.

Pavarësisht kësaj për këtë çështje nuk flitet më.

As politikanët, as mediat, as analistët e shumtë. Të asnjë kahu. Të asnjë ideali. Të asnjë qëndrimi…

Gërdeci pret drejtësinë në heshtje, në vetmi.

Tragjike, e dhimbshme, ironike!

As vetë banorët, duken se nuk duan më t’ja dinë për çfarë Gërdeci përfaqëson, si ndër ngjarjet më madhore të viteve 2000 në jetën politike dhe sociale shqiptare.

Jo më larg se më 7 mars, një ditë pas zgjedhjeve të pjesshme në gjashtë bashki, habi i bëri të gjithëve fakti se në Gërdec (pjesë e Bashkisë Vorë), pati marrë më shumë vota kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, se sa rivali i tij brendapartiak, as më pak e as më shumë ish-dishepull, Lulzim Basha.

Habi i bëri edhe redaksisë së Albanian Post kjo gjë dhe ndaj gazetarët shkuan e pyetën.

Në shkretinë e një lokali ku një person i vetëm gjendej vërdallë, përgjigjet ishin asfiksuese.

“Banorët, i kanë marrë nga 1 apo 2 milionë lekë në dorë. Përpos kësaj, në atë kohë paguheshim nga 3 mijë deri në 4 mijë lekë në ditë”.

E ç’të thuash përtej kësaj?!

Kujtesë nuk ka. Përjetim, jo e jo.

Një vit tjetër, për Gërdecin shkoi…në vetmi!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore