Sport

Shkëndija shkarkon trajnerin Ernest Gjoka


Paraqitja e dobët në kupat e Evropës, i ka kushtuar me shkarkim trajnerit Ernest Gjoka, nga stoli i Shkëndisë së Tetovës.

Përmes një njoftimi në faqen e tyre zyrtare, klubi i Shkëndisë ka njoftuar këtë të premte largimin nga detyra të trajnerit tiranas.

“KF Shkëndija komunikon ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Ernest Gjoka. Kryesia dhe tekniku tiranas me marrëveshje të dyanshme kanë vendosur se ndarja në këtë moment është në interes të të dyja palëve”.

“KF Shkëndija me këtë rast falënderon Ernest Gjokën dhe ndihmësin e tij Fatjon Tafaj për kontributin e dhënë në periudhën që ishin pjesë e kuqezinjve, duke drejtuar skuadrën drejt titullit kampion i vendit në sezonin garues 2020/2021”, thuhet në komunikatën e klubit tetovar.

Paraqitja e Shkëndisë në garat e Evropës, ishte shkaku kryesor i shkarkimit të trajnerit shqiptar.

Në raundin e parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve, tetovarët u mposhtën me rezultat të përgjithshëm 6:0 nga kampioni i Sllovenisë, Mura.

Përveç kësaj, Shkëndija nuk arriti të eliminoj ekipin nga Letonia, Riga, në kuadër të raundit të dytë të kualifikimeve në Europa Conferenve Leauge, duke u mposhtur me rezultat të përgjithshëm 3:0.

Pra, në total nëntë gola të pësuar dhe asnjë i shënuar, statistika që nuk u lanë rrugëdalje palëve për vijimin e bashkëpunimit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore