Përballje

Shkëndija një hap drejt kualifikimit në raundin tjetër të Ligës së Konferencës


Shkëndija e Tetovës e ka nisur me këmbë të mbarë aventurën evropiane në Conference League, teksa mposhti me rezultat 2:0 ekipin armen, Ararat, në ndeshjen e parë kualifikuese.

Tetovarët nuk e vunë në asnjë moment në diskutim fitoren, duke e dominuar të gjithë takimin.

Ekipi i drejtuar nga Artim Shaqiri gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 21-të, kur Adenis Shala shfrytëzoi më së miri një pakujdesi nga mbrojtja e armenëve.

Pak sekonda para fundit të pjesës së parë, Valmir Nafiu, u kujdes që të shënonte golin e qetësisë. 28-vjeçari dhuroi spektakël me një gol mjaft të bukur nga distanca.

Edhe pjesa e dytë u dominua në përgjithësi nga ekipi tetovar, por ata ishin të pafat për ta thelluar edhe më shumë epërsinë.

Pas një jave kuqezinjtë do të kenë një avantazh të konsiderueshëm e në Yerevan të Armenisë do të kërkojnë që të marrin kualifikimin për në raundin e dytë kualifikues të Conference League ku do të gjenin letonezët e Valmiera-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore