Sport

Shkëmbim huazimish, Alexis Sanchez gati të rikthehet te Barcelona


Futbollisti nga Kili, Alexis Sanchez, mund të kthehet te Barcelona gjatë merkatos së janarit. Sulmuesi është larguar nga “Camp Nou” tetë vite më parë.

Sipas britanikes “Daily Mail”, Barcelona dhe Inter-i janë gati të bëjnë një marrëveshje për shkëmbim lojtarësh në huazim. Në këtë rast, Sanchez-i do të kalonte te Barcelona dhe Luuk de Jong-u te Inter-i.

32-vjeçari ka bërë vetëm dy startime për Inter-in këtë sezon. Kontrata e tij përfundon në verën e 2023 dhe një opsion blerje mund të përfshihet në huazimin e tij në “Camp Nou”.

De Jong-u aktualisht është i huazuar te Barcelona nga Sevilla. Nëse edhe këta të fundit do të pranonin, atëherë Inter-i do të mirëpriste holandezin në “Giuseppe Meazza”.

Sanchez kaloi tre vjet në “Camp Nou” midis 2011 dhe 2014. 26 milionë euro pagoi Barcelona te Udinese për ta transferuar në vitin 2011.

Me skuadrën blaugrana ai është paraqitur në 141 takime. 46 gola dhe 41 asiste mbajnë emrin e tij. Gjithashtu me Barcelona-n ka fituar një trofe të La Liga-s, një Kupë dhe dy Superkupa të Spanjës, një Kupë Botë për Klube, si dhe një Superkupë të Evropës.

Pas Barcelona-s, Sanchez-i kaloi te Arsenal-i dhe më pas te Manchester United. Ai u bashkua me Inter-in sezonin e kaluar, si kërkesë e Antonio Conte-s.

Tashmë Barcelona është ajo që kërkon shërbimet e Sanchez-it. Spanjollët të mërkurën mësuan zyrtarizimin e tërheqjes nga futbolli i luajtur të Sergio Aguero-s, pas problemeve në zemër.

Situata ekonomike e spanjollëve nuk është e favorshme për të ndërhyrë në merkato me emra me peshë. Ndaj dhe Sanchez-i mbetet një alternativë e mirë, që njeh ambientin e klubit, por edhe kampionatin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore