Lajme

Shkatërrohet mafia shqiptare që trafikonte marihuanë në Spanjë


Një operacion i zhvilluar nga forcat ligjzbatuese “Mossos d’Esquadra” është përmbyllur me arrestimin e 14 personave.

Autoritetet vendase kanë çmontuar një grup kriminal shqiptar të specializuar në kultivimin dhe trafikimin e marihuanës në zonën e “Camp de Tarragona”.

Forcat autonome kryen nëntë kontrolle në ndërtesa industriale dhe shtëpi.

Lajmi i bujshëm u bë i ditur nga e përditshmja katalunase “El Periodico”, duke cituar raportimin e Mossos-it.

Autoritetet sqaruan se arrestimet janë bërë nga Divizioni i Hetimit Kriminal (DIC) i policisë katalanase më 5 korrik.

Të arrestuarit, të moshës 20 deri në 51 vjeç, akuzohen për krime kundër shëndetit publik, që i përkasin një grup kriminal dhe mashtrim me energjinë elektrike.

Hetimi për këtë rast, tregojnë Mossos, ka nisur në fund të vitit 2021.

Kjo, nga informacionet e marra në komisariat për një grup personash që kultivonin dhe shpërndanin sasi të mëdha marihuane.

Në hetimin e çështjes së quajtur “Koman”, u konstatua se drejtuesit e grupit përdornin bashkatdhetarët shqiptarë, sipas burimeve pranë çështjes, për t’u kujdesur dhe monitoruar intensivisht plantacione në ndërtesa industriale apo shtëpi njëfamiljare që ndodheshin në zona me pak lëvizshmëri të fqinjëve.

Policia gjeti gjashtë ndërtesa në të cilat grupi kishte plantacione marihuanë, nga të cilat arrinin të mblidhnin katër ose pesë kultura në vit.

Nga nëntë kërkimet të 5 korrikut të kaluar, Mossos arrestuan dymbëdhjetë persona dhe, më vonë, dy të tjerë.

Mes të arrestuarve ishte edhe një person që kishte një urdhër arresti evropian nga Italia, edhe për krime kundër shëndetit publik.

Në total janë ndërhyrë mbi 2 mijë e 600 bimë marihuanë në faza të ndryshme të rritjes dhe 54 kilogramë sytha të përgatitur për shpërndarje, si dhe 21 mijë euro cash dhe një numër i madh aparatesh që përdoren për kultivimin intensiv të drogës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore