Lajme

Shkarkohet Bordi i Hidrodrinit, pretekst helmimi i ujit në Deçan


Të dyshuarit për helmimin e ujit

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike – Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini Sh. A. Pejë”.

Shkarkimi i Bordit të kësaj kompanie është bërë nën pretekstin e rikthimit të “besimit” në ndërmarrje, pas ndotjes së ujit të pijes në Komunën e Deçanit, ku u helmuan mijëra qytetarë.

Kështu e ka arsyetuar vendimin për shkarkim të Bordit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën e 13 tetorit.

“Natyra e të gjeturave nga hulumtimi dhe analizat e kryera në terren nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, obligojnë qeverinë të marrë masa, andaj është rekomanduar që të shkarkohet bordi për të kthyer besimin në këtë ndërmarrje”, ka thënë Kurti.

Ndërsa zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka deklaruar se Bordi ka dështuar t’i përmbush detyrat dhe obligimet e tij.

“Raporti i IKSHPK-së ka konstatuar se ndotja në disa pika në Komunën e Deçanit është rezultat i dezinfektimit dhe klorizimit jo të duhur të ujit”.

“Të gjeturat që kanë dalë në pah pas epidemisë në Deçan kanë ndikuar në rënien e besimit të qytetarëve në këtë ndërmarrje, faktet në raport janë shqetësuese për shkak që Hidrodrini është përgjegjë për këtë”, ka deklaruar Bislimi.

Emrat e propozuar nga Qeveria e Kosovës për Bordin e ri të “Hidrodrini Sh.A. Pejë” janë: Bajram Mustafa, kryesues, Zamire Beqiri anëtare, Luljeta Latifaj anëtare dhe Abedin Neziraj, anëtar.

Por çka kishte ndodhur në Deçan?

Të dielën e 10 korrikut, qindra qytetarë të fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri, ishin paraqitur në qendrën emergjente në Deçan me simptoma të helmimit.

Brenda dy ditësh, 428 qytetar kishin kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.

Ndërsa, brenda katër ditësh numri i qytetarëve që kërkuan ndihmë kishte shkuar në 1 mijë e 500.

Pas kësaj situate, Komuna e Deçanit kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Kurse dy qytetarë të cilët ishin lajmëruar me simptoma të helmimit në emergjencë, vdiqën. Por, më pas Instituti i Mjekësisë Ligjore konstatoi se vdekja e tyre nuk u shkaktua nga helmimi por, nga probleme të tjera shëndetësore.

Ndërsa vetëm pas raportimit të Albanian Post se pusetat e ujit ishin të pa-sigurta, vëmendja e “institucioneve laboratorike” u rikthye sërish tek uji.

IKSHPK, konstatoi se në ujin e pijes në Deçan ka prezencë të bakteries Esheria Coli.

“Uji nga kaptazha e Drenocit deklarohet jo i pijshëm. Më datë 15 Korrik 2021 është bërë analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike e tri (3) mostrave të ujit të pijes nga rrjeti i ujësjellësit, i cili i furnizon fshatrat: Prilep, Irzniq, Gllogjan – Komuna e Deçanit (burimi i Gurrave të Hasanagës)”.

“Në këto 3 mostra sasia e klorit rezidual është 0.00. Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal, janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar” thuhet në deklaratën e fundit për këtë çështje nga IKSHPK.

Kështu, Prokuroria Themelore në Pejë nisi hetimet.

Kurse Bordi i kompanisë “Hidrodrini” ishte shkarkua me njëherë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore