Lajme

Shkarkimi i kryetarëve në Veri, KQZ javën tjetër nis diskutimet për verifikimin e nënshkrimeve


Ilustrim: KQZ

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se javën tjetër do të diskutojnë në lidhje me procesin e verifikimit të nënshkrimeve për inicimin e peticioneve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat Veriore, përkatësisht Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe

Këto komente, Radoniqi i bëri këtë të premte në mbledhjen e KQZ-së.

“Javën tjetër do ta trajtojmë atë çështje. Do të jemi në një mbledhje të tillë. Paraprakisht do të miratojmë disa rregullore të brendshme që janë të nevojshme”, tha kreu i KQZ-së.

Ndryshe, brenda vetëm një dite qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut kishin mbledhur nënshkrimet e nevojshme për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat respektive të tyre.

Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Ilir Peci e Izmir Zeqiri janë vetëm një hap larg shkarkimit nga posti që po mbajnë që nga muaj maj i vitit të kaluar.

Të njëjtit do të vazhdojnë të jenë kryetarë komunash, derisa të përfundojë e gjithë procedura e largimit të tyre përmes peticionit.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës u mbajt në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në Veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Pas përfundimit të peticionit, sipas Udhëzimit Administrativ, procedura duhet të vazhdojë me procedimin e rezultateve në Komisionin Qendror Zgjedhor i cili do të verifikojë nënshkrimet.

Nëse gjithçka është në rregull atëherë pritet të caktohet datë e zgjedhjeve nga KQZ.

Banorët e këtyre komunave pas caktimit të datës së zgjedhjeve do të dalin të votojnë për largimin e kryetarëve aktual.

Nëse votojnë mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, atëherë procesi është i legjitimuar dhe kryetarët duhet të largohen nga pozitat e tyre, duke hapur rrugë një tjetër procesi zgjedhor – atë të zgjedhjes së kryetarit të ri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore