Shqipëria

Shifra pozitive për turizmin në Shqipëri, gati 200 mijë grekë vizitojnë vendin


Pothuajse 200 mijë qytetarë grekë vizituan Shqipërinë në gjysmën e parë të këtij viti, duke qenë pjesë e më shumë se 2.5 milionë shtetasve të huaj që vizituan vendin deri në fund të qershorit.

Shifra e përgjithshme e mbërritjeve është 51,3% më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021, tha në një raport të hënën Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT).

Sipas të dhënave, vetëm në qershor, 876 mijë e 56 vizitorë të huaj mbërritën në Shqipëri, një rritje prej 45% nga viti në vit.

Rritja më e madhe në bazë vjetore është regjistruar për shtetasit grekë, në masën 410%, pasi 199 mijë e 943 prej tyre kanë vizituar Shqipërinë në periudhën janar-qershor të këtij viti, sipas raportit, pas kufizimeve të vitit të kaluar nga pandemia.

Turistët serbë

Turstët nga një vend tjetër ballkanik sa po vijnë dhe shtohen në Shqipëri. Bëhet fjalë për serbët, për të cilët Shqipëria, prej vitesh, është kthyer në një nga destinacionet e preferuara për pushime verore, duke u bërë po aq e njohur sa Greqia, Turqia, Mali i Zi dhe Egjipti.

Një nga faktorët kryesorë pse turistët serbë zgjedhin bregdetin shqiptar, “është çmimi i pushimeve në tokën shqiptare”, vijon “Serbian Monitor”, përcjell Albanian Post.

Ndërkohë, sipas Dragan Subotiç, përfaqësues i nismës TAS (Agjencitë Turistike të Serbisë), vihet re një interesim më i lartë i pushuesve nga Serbia për Shqipërinë.

 

Durrës – foto ilustruese

 

Në një intervistë për median serbe, “Biznis.rs”, ai shpjegon se, në dy vitet e fundit, për shkak të masave anti-COVID, turistët kanë pasur një numër të kufizuar destinacionesh pushimesh, ndërkohë që, gjatë asaj periudhe, Shqipëria kishte kushte shumë të ndryshme hyrjeje.

“Kjo është pikërisht arsyeja pse Shqipëria u shfaq në tregun tonë”, thotë Subotiç, i cili shton edhe se njerëzit nga Serbia, të cilët kishin vizituar një herë Shqipërinë, ishin larguar me përshtypje pozitive, “për t’u rikthyer sërish”.

“Si në sezonet e mëparshme, njerëzit nga Serbia janë mjaft të interesuar për pushimet verore në Shqipëri”, ravijëzon ai.

Sakaq, sipas “Serbain Monitor”, turistët serbë qëndrojnë kryesisht shtatë deri në 10 net në plazhet e Shqipërisë.

Ksamil – foto ilustruese
“Rajonet më interesante për pushimet verore janë Durrësi, Ksamili dhe Saranda, nga të cilët kjo e fundit kufizohet me Greqinë”, thotë Subotiç.

Sa u përket çmimeve, përfaqësuesi i nismës TAS shtjellon se kjo varet sa nga periudha, nevojat, apo dëshirat e turistëve, pasi “mund të gjesh akomodim duke filluar nga një apartament i thjeshtë deri te hotelet më luksoze”.

Në përmbyllje, ai thekson edhe se darka në restorant është shumë më e lirë se në Beograd dhe Novi Sad, ndërkohë që turistët ndihen plotësisht të sigurt në Shqipëri.

Turizmi në Shqipëri po kap ritmet e para-pandemisë

Instituti i Statistikave (INSTAT), ka publikuar shifrat zyrtare për Lëvizjen e Shtetasve në pesë muajt e parë të këtij viti, të cilat tregojnë se hyrjet në vendin tonë ishin 3.45 milionë shtetas apo rreth 2 për qind më pak sesa shifra e regjistruar në janar-maj 2019.

Këto shifra paraqesin një vit të mirë turistik për Shqipërinë duke pasur parasysh se vendi po i afrohet shifrave të viteve para pandemisë.

Kështu nga janari në maj në vend kanë hyrë mbi 1.6 milionë shtetas të huaj apo 12 % më shumë sesa shifra e regjistruar për të njëjtën periudhë në vitin 2019.

 

 

“Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin maj 2022, janë 1 milion e 74 mijë e 828. Krahasuar me majin e vitit të kaluar 2021, ky tregues rezulton me një rritje 77.5%. Në maj 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 604 mijë e 430. Krahasuar me majin e vitit të kaluar, ky numër është rritur me 83.9%”, shkruhet në publikimin e INSTAT.

Sipas publikimit të shifrave të INSTAT-it, gjatë pesëmujorit të parë të këtij vitit, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 5,6 herë, ndërsa Kosova ka pasur rritjen më të ulët me 9,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

“Turizmi patriotik që ka qenë dominant në dy vitet e pandemisë duket se u tkurr disi në muajt e parë të këtij viti, por maji duket se ka bërë edhe kthesën duke u rritur me 70 për qind në maj 2022 në raport me maj 2021”, vijon më tej INSTAT në raportin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore