Shqipëria

Shfrytëzonin për prostitucion një 13-vjeçare, arrestohet kryeinspektori i policisë në Sarandë


Policia e Sarandës, të premten e 19 nëntorit, ka arrestuar në flagrancë dy persona pasi akuzohen për shfrytëzim prostitucioni të një vajze të mitur, 13 vjeçe.

Përkatësisht janë arrestuar shtetasit P. R., 63 vjeç, me detyrë kryeinspektor i policisë në pikën e Kalimit Kufitar të Rripsit dhe S. K., 62 vjeç, banues në fshatin Xarrë, Konispol

Ky i fundit shfrytëzonte për qëllime përfitimi shtetasen e mitur L. H., duke përshtatur një ambient për të kryer këtë abuzim.

Polici po kryente marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur në ambientet e përshtatura nga 62-vjeçari në momentin që u arrestua.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjete, katër aparate celularë dhe një sasi vlere monetare e dyshuar si e përfituar nga veprimtaria kriminale.

Po ashtu është vendosur sekuestro konservative ndaj ambienteve të përshtatura për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë. Dy të arrestuarit akuzohen për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzim i prostitucionit”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, “Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Operacioni i koduar “Shfrytëzuesit” është finalizuar nga Policia e Sarandës në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

SHÇBA-ja ka bërë apel duke ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore