Sport

Shfaqen video të reja, a fshehu policia greke ngjarjen në stadiumin e AEK?


Përleshja e tifozëve të AEK-ut dhe Dinamo Zagrebit në Athinë në fillim të kësaj jave ka shokuar opinionin publik në Greqi dhe më gjerë. Si pasojë e kësaj përplasje ka mbetur i vdekur një tifoz vendas 29-vjeçar.

Lidhur me ngjarjen, policia greke u shpreh fillimisht se dhuna kishte ardhur nga tifozët kroatë, që në fakt nuk duhet të kishin udhëtuar në Greqi sipas vendimit të UEFA-s.

Megjithatë, tifogrupi “Bad Blue Boys” i Dinamo-s arriti të hynte në tokën greke duke mashtuar policinë vendase pasi u hoqën si turistë që do të shkonin në destinacione të ndryshme. Disa prej tyre, rreth 200 sipas mediave greke, kishin kaluar nga kufiri me Shqipërinë.

Në Athinë, tifozëve të AEK-ut iu ishin bashkuar edhe ultras të Panathinaikos-it, rivalët vendas të AEK-ut. Dhe, përplasja mes dy tifozerive do të ishte e dhunshme, aq sa do të kishte disa të plagosur si dhe viktima e lartëpërmendur.

Fillimisht u përfol në mediat greke se tifozët e ardhur nga Zagrebi ishin ata që kishin sulmuar vendasit. Mirëpo, në disa video të shfaqur së fundmi në mediat sociale, shihet se si tifozët e AEK-ut, të organizuar, shkojnë për të sulmuar miqtë, por më pas zmbrapsen nga këta të fundit.

Videot në fjalë janë të kamerave të sigurisë në zonë, të cilat as policia nuk i ka bërë publike dhe arsyeja e vërtetë e fshehjes së tyre nuk dihet. Por, në mediat kroate aludohet se fshehja është bërë me qëllim për të fajësuar miqtë.

Lidhur me ngjarjen, policia fillimish kreu 98 arrestime, mes të cilëve edhe një shqiptar. Tashmë janë pesë të dyshuar kryesor, ku dhe shqiptari është pjesë e tyre (një kroat dhe tre grekë). Por, mediat greke shprehen se më i dyshuar është një shtetas grek, tifoz i Panathinaikos, i cili edhe më herët është arrestuar nga policia për huliganizmin e shfaqur në stadiumet greke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore