Shqipëria

Shëndet është edhe ai mendor, në një botë të pabarabartë


Për shëndetin mendor nuk duhet folur vetëm më 10 tetor të çdo viti, kur shënohet edhe Dita Botërore e Shëndetit Mendor.

Një tryezë e gjerë me organizata të shumta, faktorë qeveritarë dhe shoqëri civile u mblodh pikërisht për këtë çështje më 11 tetor, në Tiranë.

Synimi ishte të flitej mbi mirëqenien psikologjike të njerëzve, në një botë krejtësisht të pabarabartë.

Mbi të gjitha, kur elementi COVID-19 i ka goditur edhe më shumë shtresat vulnerabël.

Tryeza e organizuar nga Fondacioni Together Albania

Ndër to, rinia është ajo që e ka vuajtur më së shumti shkëputjen nga normaliteti i botës a priori jo normale ku jetojmë.

Kanë kaluar 18 muaj nga fillimi i pandemisë COVID-19 në aspekt global. Për këtë arsye, disa shoqëri i janë kthyer një jetese më të ngjashme me atë pre-COVID.

Këtë fakt e nënvizoi edhe Vera Remskar, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit “Together Albania”, i cili ishte dhe iniciator për zhvillimin e bisedës.

Vera Remskar, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit “Together Albania”

Qasja është e qartë dhe e vazhdueshme: Shëndet mendor për të gjithë; Ta bëjmë realitet.

Roberto de Bernardi, nga ana tjetër, drejtuesi i zyrës së UNICEF në Shqipëri ravijëzoi faktin se, përtej pandemisë, duhet kuptuar se mbi shëndetin mendor, vlen për të folur në çdo kohë.

Roberto de Bernardi, drejtuesi i zyrës së UNICEF në Shqipëri

Në të njëjtën linjë ishte edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, e cila qe e pranishme në tryezë.

“Fokus i Ministrisë, përtej përballimit të pandemisë, ka qenë edhe garantimi i mirëqenies mendore të popullatës. Veçanërisht te shtresa e të rinjve”, cilësoi ajo gjatë fjalës së saj.

Rinia është e të rinjve

Veçantia e tryezës së mbledhur, ishte edhe në faktin se midis drejtuesish të lartë, kishte pjesëmarrjen e dy nxënësve nga shkolla “Ismail Qemali” në Tiranë.

Ata artikuluan në tryezë pika të rëndësishme sipas pikëpamjes së tyre.

Ndër to ishte fakti se sa pak të kuptuar janë, kur kanë problematika të shëndetit mendor, ose kërkojnë këshillim.

Për nxënësit e kësaj shkolle, pavarësisht faktit se gjërat kanë ndryshuar, është ende e vështirë të shkosh te psikologu sot.

Etiketime të shëmtuara si ato të personave me probleme të theksuara psikike, vijojnë t’u atashohen personave, të cilët kërkojnë ndihmë.

Sado e vogël qoftë ajo!

Dy nxënës nga shkolla e mesme “Ismail Qemali”, në tryezën e organizuar nga Fondacioni Together Albania

Mbi këtë rrafsh, Kleina Kasani, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, e cilësoi si të nevojshme ngritjen e strukturave të posaçme për rininë.

Kjo, sigurisht duke i përfshirë ata vetë në aktivitete të ndryshme dhe tryeza të ngjashme.

E njëjta qasje u ofrua edhe nga zëvendëskryetarja e Bashkisë Tiranë, Anisa Ruseti. Ajo tha se Bashkia po fillon të implikohet në më shumë nisma të tilla.

Si fakt, Ruseti shpalosi disa të dhëna, ku 60% e të rinjve në Shqipëri, gjatë pandemisë, kanë shfaqur shenja stresi.

Prej tyre, 40% kanë shfaqur shqetësime dhe stres mbi situatën e krijuar nga mësimi online.

Duke qenë se Tirana vitin e ardhshëm do të jetë kryeqyteti i rinisë, nga Bashkia janë premtuar edhe forume rinore mbi këto çështje.

Biseda mbi shëndetin mendor, me pjesëmarrës nga 53 vende të ndryshme të botës, priten të marrin jetë.

Sakaq, në shenjë solidarizimi, edhe një pjesë e dedikuar e maratonës së Tiranës, do t’i kushtohet shëndetit mendor. Slogani do të jetë ai i “Vrapimit për shëndetin mendor”.

Nuk je vetëm

Gjëja më e ethshme që pandemia ka sjellë, është edhe vetmia, duke e lënë komunikim në koncept virtual.

Si qëndrim i tillë i krijuar, ata të cilët kanë më së shumti nevojë për komunikim, të rinjtë, kanë mbetur të izoluar jo pak herë.

Problematik tek ta kanë sjellë vështirësi edhe për t’u shprehur tek të tjerët.

Ndaj, një nismë e posaçme është ndërmarrë për t’u ardhur atyre në ndihmë.

Nisma “Nuk je vetëm” ka synuar pikërisht angazhimin për të dëgjuar problematikat e të rinjve.

Kjo, si një metodë të përshtatur edhe për të ruajtur anonimitetin e tyre.

Nga e majta në të djathtë, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mira Rakacolli, Vera Remskar, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit “Together Albania”, Roberto de Bernardi, drejtuesi i zyrës së UNICEF në Shqipëri

Platforma të tillë sintetizojnë edhe hulumtimet mbi shkaqet që vijnë nga situata komplekse si kjo e krijuar.

Në këtë mënyrë, ndihma ndaj të rinjve bëhet edhe më efikase dhe e shpejtë.

Pra, nëpërmjet një 10 tetori të dedikuar ndaj shëndetit mendor, mesazhi real është i një viti të plotë, kushtuar shëndetit mendor.

Është e vërtetë se bota – e pabarabartë – nuk jep qasje të njëjta për të përballuar problematikat e mëdha shoqërore të psikikës së shëndetshme.

Ndaj, puna ditore mbi shëndetin mendor nuk duhet ndalur në një ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore