Kosova

Shefja e re e UNMIKU-t zotohet për mbështetje ndaj dialogut Kosovë-Serbi


Caroline Ziadeh

Caroline Ziadeh, shefja e re e Misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën (UNMIK), e cila e ka zëvendësuar Zahir Taninin, ka theksuar se misioni që ajo do të drejtojë do të mbetet i palëkundur në mbështetje ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe paqes e pajtimit afatgjatë.

Ziadeh, është shprehur se pret me padurim të punojë me autoritete e Kosovës dhe shoqërinë civile si dhe me partnerët ndërkombëtar në Kosovë dhe rajon.

“Nën udhëheqjen time, UNMIK-u do të mbajë përkushtimin për të mbështetur institucionet dhe popullin e Kosovës në realizimin e një të ardhmeje më paqësore dhe prosperuese përmes promovimit të të drejtave të njeriut, ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve dhe fuqizimit të agjentëve të ndryshimeve pozitive, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë”, ka thënë Ziadeh.

Ziadeh, para se të shërbejë në Kosovë, ka shërbyer nëpër pozita të ndryshme e misione të ndryshme ndërkombëtare.

“Pas shërbimit që nga viti 2017 si Drejtoreshë e Departamentit të Organizatave Ndërkombëtare, Konferencave dhe Shërbimeve Kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve të Libanit, Ziadeh sjell me vete një përvojë gati 30 vjeçare në diplomacinë ndërkombëtare me njohuri të gjerë të Kombeve të Bashkuara ku udhëhoqi delegacionet kombëtare në Kombet e Bashkuara për ҫështje të ndërlidhura me të drejtat e njeriut, agjendën mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe migrimin”, thuhet në kumtesë.

“Ish-Zëvendëse e Përfaqësuesit të Përhershëm të Libanit pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork (2006-2017), Ziadeh shërbeu në Ambasadat e Libanit në Mbretërinë e Bashkuar (2004-2006), në Belgjikë dhe Bashkim Evropian (1994-1999), si dhe në Misionin e Përhershëm të Libanit në Vjenë dhe Ambasadat në Austri, Kroaci, dhe Sllovaki (1999-2002)”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore